Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 6

6
Kthimi i arkës
1Arka e Zotit ndodhej në krahinën e filistinëve prej shtatë muajsh. 2Filistinët thirrën priftërinjtë e shortarët e u thanë: «Çfarë të bëjmë me arkën e Zotit? Na tregoni si ta dërgojmë në vendin e vet?». 3Ata u përgjigjën: «Nëse e ktheni arkën e Perëndisë së Izraelit, mos e dërgoni duarzbrazur, por me fli faji. Atëherë do të shëroheni e do ta dini përse dora e tij po ju shtypte». 4Ata thanë: «Çfarë t'i çojmë si fli faji?». Ata u përgjigjën: «Pesë lytha të artë e pesë minj të artë për çdo prijës filistin, se me këto u goditët ju të gjithë e prijësit tuaj. 5Bëni shëmbëlltyra lythash e minjsh që shkretuan tokën. Kështu do t'i jepni lavdi Perëndisë së Izraelit e ndoshta ai do ta lehtësojë dorën e tij mbi ju, mbi perënditë e tokat tuaja. 6Përse i ngurtësoni zemrat më kot, siç i ngurtësoi Egjipti e faraoni? A nuk i lanë ata izraelitët të shkojnë, pasi Zoti u soll ashpër me ta? 7Prandaj bëni një qerre të re, merrni dy lopë qumështore që nuk janë vënë kurrë në zgjedhë e mbrehini në qerre, ndërsa viçat e tyre mbajini në stallë. 8Merreni pastaj arkën e Zotit dhe vendoseni mbi qerre bashkë me sendet e arta që do t'i sillni si fli faji. Ato vendosini në një kuti përbri. Niseni qerren për udhë. 9Nëse vini re se ngjitet udhës për Bet Shemesh, atëherë paska qenë Perëndia ai që na ka goditur me këtë fatkeqësi të madhe. Nëse jo, dijeni se nuk ishte dora e tij, por ishte rastësi». 10Kështu vepruan. Morën dy lopë qumështore, i mbrehën në qerre, ndërsa viçat e tyre i mbajtën në stallë. 11E vendosën arkën e Zotit në qerre bashkë me kutinë, me minjtë e artë e me shëmbëlltyrat e lythave të tyre. 12Lopët filluan të ecnin drejt udhës për në Bet Shemesh. Ecnin drejt duke pëllitur e nuk shmangeshin as majtas, as djathtas, dhe prijësit e filistinëve i ndiqnin pas derisa mbërritën në kufi të Bet Shemeshit.
13Ndërkohë në Bet Shemesh korrësit po korrnin grurin nëpër luginë. Kur ngritën sytë e panë arkën, u gëzuan. 14Qerrja mbërriti e qëndroi tek ara e Jozuehut. Aty ndodhej një gur i madh. Atëherë i thyen drutë e qerres e ia kushtuan lopët Zotit si fli shkrumbimi. 15Levitët e ulën arkën e Zotit bashkë me kutinë që mbante orenditë e arta e i vunë mbi gurin e madh. Atë ditë populli i Bet Shemeshit i kushtoi Zotit fli shkrumbimi e flijime. 16Pesë prijësit e filistinëve e panë dhe u kthyen po atë ditë në Ekron.
17Këto janë lythat e artë që çuan filistinët si fli faji për Zotin: një për Ashdodin, një për Gazën, një për Ashkelonin, një për Gatin e një për Ekronin. 18Edhe pesë minjtë e artë ishin sipas numrit të qyteteve filistine që u përkisnin pesë prijësve, duke përfshirë qytetet e fortifikuara dhe fshatrat e parrethuara. Guri i madh mbi të cilin u vendos arka e Zotit gjendet edhe sot e kësaj dite në fushën e Jozuehut, në Bet Shemesh.
19Perëndia goditi disa banorë të Bet Shemeshit#6.19 të tjerë: bijtë e Jekonisë, të vetmit ndër njerëzit e Bet Shemeshit, nuk u gëzuan, sepse vështruan arkën e Zotit. Ai goditi shtatëdhjetë vetë prej pesëdhjetë mijë banorëve dhe populli vajtoi, se Zoti i kishte goditur rëndë. 20Atëherë banorët e Bet Shemeshit thanë: «Kush mund të qëndrojë para Zotit, këtij Perëndie të shenjtë? E kujt do t'ia çojmë?». 21Ata u çuan fjalë banorëve të Kirjat Jearimit e u thanë: «Filistinët na e kthyen arkën e Zotit. Ejani e merreni!».

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Samuelit 6: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë