Po atë ditë erdhi me vrap në Shiloh një burrë nga beteja. Ai ishte benjaminas dhe i kishte petkat e grisura e kryet me dhe. Teksa vinte, Eliu ishte ulur në ndenjëse buzë rrugës e po vështronte i shqetësuar për shkak të arkës së Perëndisë. Burri hyri në qytet, i njoftoi e i gjithë qyteti klithi. Kur i dëgjoi britmat, Eliu pyeti: «Ç'janë këto britma?». Burri nxitoi e i tregoi Eliut, që tashmë ishte nëntëdhjetë e tetë vjeç dhe nuk shihte, pasi e kishin lënë sytë. Burri i tha: «Unë jam ai që mbërriti nga beteja. Sot ia mbatha». Eliu e pyeti: «Po bijtë e mi?». Lajmëtari iu përgjigj: «Izraeli ia mbathi para filistinëve. Populli u bë kasaphanë dhe dy bijtë e tu, Hofniu e Finehasi, mbetën të vrarë. U mor edhe arka e Perëndisë». Kur dëgjoi të përmendet arka e Perëndisë, Eliu ra me kurriz nga ndenjësja ndanë portës, theu qafën e vdiq, se ishte në moshë e në peshë. Ai kishte qenë gjyqtar në Izrael për dyzet vjet. E reja e tij, gruaja e Finehasit, ishte shtatzënë. Kur dëgjoi lajmin për kapjen e arkës së Perëndisë dhe për vdekjen e të vjehrrit e të shoqit, e kapën dhimbjet e lindjes dhe lindi. Teksa po jepte shpirt, gratë përreth i thanë: «Mos ki frikë, se linde djalë». Por ajo as u gjegj, as bëzajti. Djaloshin e quajti Ikabod, se tha: «I iku lavdia Izraelit», për shkak se arka e Perëndisë u mor dhe se i vdiq i vjehrri dhe i shoqi. Ajo tha: «I iku lavdia Izraelit, sepse u mor arka e Perëndisë».
Lexo 1 Samuelit 4
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: 1 Samuelit 4:12-22
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video