Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 4:1-11

1 Samuelit 4:1-11 AL1

Fjala e Samuelit i drejtohej gjithë Izraelit. Izraeli u ngrit e shkoi në luftë kundër filistinëve. Ata fushuan në Eben Ezer, ndërsa filistinët në Apek. Filistinët u renditën kundër Izraelit dhe, pasi u përhap lufta, Izraeli u mund. Ata vranë në fushëbetejë katër mijë burra. Populli u kthye në fushim dhe pleqësia e Izraelit doli e tha: «Përse i la ZOTI filistinët të na mundnin? Merreni pra arkën e besëlidhjes së ZOTIT prej Shilohut e silleni këtu mes nesh, që të na shpëtojë nga dora e armikut». Kështu, populli dërgoi disa njerëz në Shiloh dhe ata e sollën arkën e besëlidhjes së ZOTIT të ushtrive që rri mbi kerubë. Të dy bijtë e Eliut, Hofniu e Finehasi, ishin me arkën e besëlidhjes së Perëndisë. Porsa mbërriti arka e besëlidhjes së ZOTIT në fushim, gjithë Izraeli brohoriti fort saqë ushtoi toka. Filistinët e dëgjuan brohoritjen e thanë: «Ç'është ky kushtrim kaq i fortë që vjen nga fushimi i hebrenjve?». Kur e morën vesh që kishte ardhur arka e ZOTIT, u trembën e thanë: «Paska ardhur një perëndi në fushim! Mjerë ne! Kjo s'ka ndodhur ndonjëherë! Mjerë ne! Kush do të na shpëtojë nga dora e këtyre perëndive të fuqishëm? Këta perëndi goditën Egjiptin me çdo lloj plage në shkretëtirë. Por, merrni zemër e bëhuni burra, o filistinë, përndryshe do t'u shërbeni hebrenjve siç na shërbyen ata neve! Bëhuni burra e luftoni!». Atëherë filistinët luftuan dhe Izraeli u mund. Të gjithë ua mbathën nëpër tendat e veta dhe u bë gjakderdhje e madhe. Prej Izraelit u vranë tridhjetë mijë ushtarë. U morën edhe arkën e Perëndisë dhe dy bijtë e Eliut, Hofniu e Finehasi, mbetën të vrarë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë