Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 3:1-21

1 Samuelit 3:1-21 AL1

Djaloshi Samuel i shërbente ZOTIT në prani të Eliut. Asokohe fjala e ZOTIT dëgjohej rrallë dhe nuk kishte vegime të shpeshta. Një herë Eliu ishte shtrirë në shtrojën e vet. Ai nuk shihte mirë ngaqë po e linin sytë. Edhe Samueli ishte shtrirë në tempullin e ZOTIT, aty ku ishte arka e Perëndisë. Llamba e Perëndisë nuk ishte ndezur ende. Atëherë ZOTI e thirri Samuelin e ai u përgjigj: «Ja ku jam!». Pastaj vrapoi drejt Eliut duke i thënë: «Ja ku jam! A më thirre?». Por Eliu i tha: «Nuk të thirra. Shko e fli!». Kështu, iku e ra të flinte. ZOTI e thirri sërish Samuelin. Ai u ngrit, shkoi tek Eliu e i tha: «Ja ku jam! A më thirre?». Por Eliu i tha: «Nuk të thirra, biri im. Shko e fli!». Samueli nuk e kishte njohur ende ZOTIN dhe fjala e ZOTIT ende nuk i ishte zbuluar. ZOTI e thirri sërish për të tretën herë. Samueli u ngrit, shkoi tek Eliu e i tha: «Ja ku jam! A më thirre?». Atëherë Eliu e kuptoi që djaloshin po e thërriste ZOTI, prandaj i tha: «Shko e fli! Nëse të thërret sërish thuaj: “Fol, o ZOT, se shërbëtori yt po dëgjon”». Kështu, Samueli shkoi e ra në shtrojën e vet. ZOTI erdhi, qëndroi atje dhe e thirri si më parë: «Samuel, Samuel!». Atëherë Samueli u përgjigj: «Fol, se shërbëtori yt po dëgjon». ZOTI i tha: «Ja, do të bëj diçka në Izrael, që kur ta dëgjojnë, do t'u buçasin veshët. Atë ditë do të përmbush fund e krye gjithçka thashë kundër Eliut e shtëpisë së tij. I kisha treguar që do ta dënoja përgjithmonë shtëpinë e tij, sepse, edhe kur i mori vesh fajet e djemve, nuk i qortoi. Prandaj iu betova shtëpisë së Eliut, se faji i tyre nuk do të shlyhet kurrë as me fli e as me kushte». Samueli fjeti deri në mëngjes e pastaj hapi portat e shtëpisë së ZOTIT. Ai kishte frikë t'ia tregonte Eliut vegimin. Eliu e thirri e i tha: «Samuel, biri im». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam!». Eliu i tha: «Çfarë të tha? Mos ma fsheh! Keq e më keq ta bëftë Perëndia, nëse më fsheh ndonjë gjë prej fjalëve që të tha». Atëherë Samueli ia tregoi të gjitha pa fshehur gjë. Dhe Eliu u përgjigj: «ZOTI bëftë si t'i duket më mirë!». Samueli u rrit. ZOTI ishte me të e nuk lejoi t'i shkonte fjala më kot. Mbarë Izraeli, prej Danit deri në Bershebë, e mori vesh se Samueli ishte caktuar profet i ZOTIT. ZOTI vazhdoi të shfaqej në Shiloh, se ZOTI i zbulohej Samuelit atje përmes fjalës së tij.