Kur e pa Davidin, Abigajla zbriti me të shpejtë prej gomarit e ra përdhe para tij me nderim. Ra te këmbët e tij e i tha: «Faji është i imi, imzot, vetëm i imi. Të lutem lëre shërbëtoren tënde të flasë! Dëgjoje fjalën e shërbëtores sate! Të mos shqetësohet imzot për Nabalin, për këtë njeri të poshtër, sepse siç ka emrin, ashtu është, Nabal quhet e i marrë është. Por unë, shërbëtorja jote, nuk i pashë djelmoshat që kishte dërguar imzot.
E tani, imzot, pasha ZOTIN e pasha jetën tënde, ZOTI nuk të la të derdhje gjak e të merrje hak me dorën tënde. U bëfshin si Nabali të gjithë armiqtë e tu e të gjithë ata që i duan të keqen timzoti. Prandaj, pranoje këtë dhuratë që shërbëtorja jote i solli timzoti e jepua djelmoshave që ndjekin timzot. Falja shkeljen shërbëtores sate, se ZOTI me të vërtetë do t'i japë timzoti një mbretëri të përhershme. Imzot po lufton betejat e ZOTIT dhe asnjë mbrapshti nuk do të gjendet në ty gjatë gjithë jetës tënde. Edhe nëse ngrihet dikush të të përndjekë e të të marrë jetën, jeta e timzoti do të jetë në shtjellën e të gjallëve pranë ZOTIT, Perëndisë tënd, ndërsa shpirti i armiqve do të vërtitet si guri me hobe. E kur ZOTI t'i përmbushë të gjitha mirësitë që i premtoi timzoti e të të caktojë prijës mbi Izraelin, timzot nuk do ta brejë ndërgjegjja për gjakun që do të derdhte kot apo se do të merrte vetë hak. E kur ZOTI t'i sjellë mirësi timzoti, kujtohu për shërbëtoren tënde».
Atëherë Davidi i tha Abigajlës: «Bekuar qoftë ZOTI, Perëndia i Izraelit, që të dërgoi sot për të më takuar. Bekuar qofsh për urtinë që tregove, se sot nuk më le të derdhja gjak e të merrja vetë hak. Pasha Perëndinë e Izraelit, që nuk më la të të bëja keq, po të mos kishe nxituar për të më takuar, Nabalit nuk do t'i kishte mbetur në mëngjes asnjë mashkull». Atëherë Davidi mori prej saj çfarë i kishte sjellë e i tha: «Kthehu e qetë në shtëpi. Ta dëgjova fjalën e po ta plotësoj kërkesën».
Abigajla u kthye te Nabali. Ai po festonte në shtëpi si në një gosti mbreti. Ishte i gëzuar e shumë i dehur. Abigajla nuk i tregoi asgjë deri në të gdhirë. Të nesërmen në mëngjes, pasi i doli pija, Abigajla, e shoqja, i tregoi gjithçka. Nabalit i ngriu zemra në kraharor e shtangu si gur. Pas dhjetë ditëve, ZOTI e goditi Nabalin e ai vdiq.
Kur mori vesh se Nabali kishte vdekur, Davidi tha: «Bekuar qoftë ZOTI që e shpagoi fyerjen që më bëri Nabali, ai nuk e la shërbëtorin e tij të bënte keq e Nabalit i ra mbi kokë e keqja e vet». Atëherë Davidi dërgoi disa njerëz të flisnin me Abigajlën që ta merrte për grua. Shërbëtorët e Davidit shkuan në Karmel te Abigajla e i thanë: «Davidi na ka dërguar te ti që të të marrim nuse». Ajo u ngrit, u përkul përdhe e u tha: «Ja, shërbëtorja jote është gati t'ua lajë këmbët shërbëtorëve të imzoti». Abigajla u ngrit me nxitim e i hipi gomarit. Bashkë me pesë shërbëtoret e saj ndoqi lajmëtarët e Davidit. Ajo u bë gruaja e tij.
Davidi kishte marrë për grua edhe Ahinoamën prej Izrelit. Të dyja u bënë gratë e tij. Mikalën, bijën e vet, gruan e Davidit, Sauli ia kishte dhënë Paltiut, birit të Laishit prej Galimit.