Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 2:12-26

1 Samuelit 2:12-26 AL1

Bijtë e Eliut ishin fëmijë të pahijshëm. Ata nuk donin t'ia dinin për ZOTIN. Kështu e kishin zakon priftërinjtë të silleshin me popullin. Kur ndokush flijonte fli, dilte djali i priftit me sfurk tredhëmbësh në dorë, ndërsa ziente mishi, e zhyste në legen, në kazan, në tavë, apo në kusi dhe çfarëdo që kapte sfurku e merrte për priftin. Ata vepronin kështu me tërë izraelitët që vinin në Shiloh. Madje ndodhte që para se të digjej dhjami, vinte djali i priftit e u thoshte atyre që kushtonin fli: «Më jepni mish që ta pjek për priftin, sepse ai do mish të gjallë e jo të zier». Edhe pse njerëzit i përgjigjeshin: «Merr ç'të duash, por na lër të djegim dhjamin», ai u përgjigjej: «Jo, ma jepni tani, përndryshe do t'jua marr me forcë!». Mëkati i djemve ishte shumë i rëndë para ZOTIT, sepse po përbuznin flinë e ZOTIT. Djaloshi Samuel shërbente në prani të ZOTIT veshur me efod prej liri. E ëma i punonte një gunëz që ia sillte për vit sa herë që vinte bashkë me të shoqin për flinë vjetore. Eliu bekonte Elkanahun e të shoqen: «ZOTI të dhëntë trashëgimtarë të tjerë përmes kësaj gruaje, në vend të djalit që ajo ia fali ZOTIT». Atëherë ata ktheheshin në vendin e vet. ZOTI e pa me sy të mirë Anën, ajo mbeti shtatzënë dhe lindi tre djem e dy vajza. Ndërkohë djaloshi Samuel rritej në prani të ZOTIT. Eliu, në moshë të thyer, mori vesh për gjithçka që bijtë e tij u bënin izraelitëve dhe se ata flinin me gratë që shërbenin në të hyrë të tendës së takimit. Ai u tha: «Përse silleni kështu? Po dëgjoj fjalë të këqija prej gjithë popullit. Mos, bijtë e mi! Nuk po dëgjoj fjalë të mira nga populli i ZOTIT. Nëse dikush mëkaton kundër njeriut, Perëndia është ai që ndërmjetëson, por nëse mëkaton kundër ZOTIT, kush do të ndërmjetësojë për të?». Megjithatë, ata nuk ia dëgjuan fjalën të atit, se ZOTI kishte vendosur t'i vriste. Ndërkohë djaloshi Samuel rritej në shtat. Njerëzit dhe ZOTI e kishin për zemër.