Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 17:38-51

1 Samuelit 17:38-51 AL1

Sauli i dha Davidit armatimin e vet, i vuri në krye një përkrenare prej bronzi dhe e veshi me parzmore. Pastaj Davidi ngjeshi shpatën, por nuk ecte dot, sepse nuk ishte mësuar me to. Atëherë i tha Saulit: «Nuk eci dot me gjithë këto, se nuk jam mësuar», prandaj i hoqi. Pastaj mori shkopin, zgjodhi pesë gurë të lëmuar prej përroit, i futi në trastën e bariut, që kishte me vete, dhe me hobe në dorë iu afrua filistinit. Edhe filistini filloi të afrohej me shqytarin që i printe. Kur e pa Davidin, filloi ta përbuzte, sepse ishte djalosh kuqalosh e i pashëm. Filistini i tha Davidit: «Mos të dukem qen, që më vjen me shkop?». Dhe e mallkoi Davidin në emër të perëndive të vet. Filistini vijoi: «Eja! Kufomën tënde do t'ua hedh shpendëve të qiellit e kafshëve të egra». Davidi i tha filistinit: «Ti vjen me shpatë, heshtë e shtizë, ndërsa unë vij në emër të ZOTIT të ushtrive, Perëndisë së aradheve të Izraelit, që ti po nguc. Sot, ZOTI do të të lërë në dorën time e unë do të të vras e do të ta pres kokën. Kufomat e ushtarëve filistinë do t'ua hedh sot shpendëve të qiellit e kafshëve të egra, që ta dijë mbarë toka se ka Perëndi në Izrael. Ta marrë vesh gjithë kjo turmë se ZOTI shpëton pa shpatë e pa heshtë. ZOTI e fiton betejën dhe ai do t'ju lërë në dorën tonë». Kur filistini u ngrit e iu afrua, Davidi nxitoi e doli me vrap në fushëbetejë që të ndeshej me të. Futi dorën në trastë, mori që andej një gur, e vërviti me hobe, e qëlloi filistinin në lule të ballit e guri iu ngul në ballë. Filistini u shemb me fytyrë përdhe. Davidi fitoi kundër filistinit vetëm me një hobe e me një gur. E qëlloi filistinin dhe e vrau, edhe pse Davidi nuk kishte shpatë në dorë. Atëherë nxitoi, u hodh mbi filistinin, ia mori shpatën dhe, si ia nxori nga milli, e theri e ia preu kokën. Filistinët ia mbathën sapo panë se u vdiq trimi.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë