Atëherë Davidi i tha Saulit: «Të mos e lëshojë zemra asnjërin për shkak të tij. Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë filistin!». Sauli i tha: «Nuk ia del dot të luftosh kundër këtij filistini, se ti je djalosh e ai është luftëtar i regjur». Davidi i tha Saulit: «Shërbëtori yt i ka shërbyer të atit si bari dhensh. Kur vinte ndonjë luan apo ari dhe grabiste ndonjë dele prej kullotës unë e ndiqja pas, e godisja dhe e shpëtoja delen prej gojës së grabitqarit. Kur më sulej, e kapja për krife, e godisja dhe e vrisja. Shërbëtori yt ka vrarë luanë e arinj dhe ky filistin i parrethprerë do të përfundojë si ata, sepse nguci aradhet e Perëndisë së gjallë». Davidi tha: «ZOTI, që më shpëtoi prej kthetrave të luanit e të ariut, do të më shpëtojë prej dorës së këtij filistini». Sauli iu përgjigj: «Shko, ZOTI qoftë me ty».
Sauli i dha Davidit armatimin e vet, i vuri në krye një përkrenare prej bronzi dhe e veshi me parzmore. Pastaj Davidi ngjeshi shpatën, por nuk ecte dot, sepse nuk ishte mësuar me to. Atëherë i tha Saulit: «Nuk eci dot me gjithë këto, se nuk jam mësuar», prandaj i hoqi. Pastaj mori shkopin, zgjodhi pesë gurë të lëmuar prej përroit, i futi në trastën e bariut, që kishte me vete, dhe me hobe në dorë iu afrua filistinit.
Edhe filistini filloi të afrohej me shqytarin që i printe. Kur e pa Davidin, filloi ta përbuzte, sepse ishte djalosh kuqalosh e i pashëm. Filistini i tha Davidit: «Mos të dukem qen, që më vjen me shkop?». Dhe e mallkoi Davidin në emër të perëndive të vet. Filistini vijoi: «Eja! Kufomën tënde do t'ua hedh shpendëve të qiellit e kafshëve të egra». Davidi i tha filistinit: «Ti vjen me shpatë, heshtë e shtizë, ndërsa unë vij në emër të ZOTIT të ushtrive, Perëndisë së aradheve të Izraelit, që ti po nguc. Sot, ZOTI do të të lërë në dorën time e unë do të të vras e do të ta pres kokën. Kufomat e ushtarëve filistinë do t'ua hedh sot shpendëve të qiellit e kafshëve të egra, që ta dijë mbarë toka se ka Perëndi në Izrael. Ta marrë vesh gjithë kjo turmë se ZOTI shpëton pa shpatë e pa heshtë. ZOTI e fiton betejën dhe ai do t'ju lërë në dorën tonë».
Kur filistini u ngrit e iu afrua, Davidi nxitoi e doli me vrap në fushëbetejë që të ndeshej me të. Futi dorën në trastë, mori që andej një gur, e vërviti me hobe, e qëlloi filistinin në lule të ballit e guri iu ngul në ballë. Filistini u shemb me fytyrë përdhe.