Atëherë Davidi i tha Saulit: «Të mos e lëshojë zemra asnjërin për shkak të tij. Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë filistin!». Sauli i tha: «Nuk ia del dot të luftosh kundër këtij filistini, se ti je djalosh e ai është luftëtar i regjur». Davidi i tha Saulit: «Shërbëtori yt i ka shërbyer të atit si bari dhensh. Kur vinte ndonjë luan apo ari dhe grabiste ndonjë dele prej kullotës unë e ndiqja pas, e godisja dhe e shpëtoja delen prej gojës së grabitqarit. Kur më sulej, e kapja për krife, e godisja dhe e vrisja. Shërbëtori yt ka vrarë luanë e arinj dhe ky filistin i parrethprerë do të përfundojë si ata, sepse nguci aradhet e Perëndisë së gjallë». Davidi tha: «ZOTI, që më shpëtoi prej kthetrave të luanit e të ariut, do të më shpëtojë prej dorës së këtij filistini». Sauli iu përgjigj: «Shko, ZOTI qoftë me ty». Sauli i dha Davidit armatimin e vet, i vuri në krye një përkrenare prej bronzi dhe e veshi me parzmore. Pastaj Davidi ngjeshi shpatën, por nuk ecte dot, sepse nuk ishte mësuar me to. Atëherë i tha Saulit: «Nuk eci dot me gjithë këto, se nuk jam mësuar», prandaj i hoqi. Pastaj mori shkopin, zgjodhi pesë gurë të lëmuar prej përroit, i futi në trastën e bariut, që kishte me vete, dhe me hobe në dorë iu afrua filistinit.
Lexo 1 Samuelit 17
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: 1 Samuelit 17:32-40
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video