Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 17:17-27

1 Samuelit 17:17-27 AL1

Jeseu i tha Davidit, të birit: «Merre këtë thes me misër të pjekur e këto dhjetë bukë e nxito te vëllezërit në luftë. Merr edhe dhjetë copa djathë për kryemijësin. Shih a janë shëndoshë e mirë vëllezërit e më sill një shenjë prej tyre». Ata ishin me Saulin e me tërë izraelitët në luginën e Elahut në luftë me filistinët. Davidi u ngrit herët në mëngjes, i la dhentë në kujdesin e një rojeje dhe u nis siç e kishte urdhëruar Jeseu. Ai mbërriti në fushim kur ushtria po renditej në fushëbetejë e po lëshonte kushtrimin. Ndërkohë izraelitët dhe filistinët po rreshtoheshin për luftë. Davidi i la gjërat te roja i sendeve e vrapoi te vija e frontit për të përshëndetur vëllezërit. Teksa po fliste me ta, nga radhët e filistinëve ia behu luftëtari filistin, Goliati prej Gatit. Ai filloi të fliste si përherë dhe Davidi e dëgjoi. Kur e panë, izraelitët u zmbrapsën para tij nga frika e madhe. Izraelitët thanë: «A e patë atë që doli për të ngucur Izraelin? Kush e vret ka për të marrë pasuri të mëdha si shpërblim prej mbretit. Do t'i japë për grua bijën e vet dhe shtëpinë e atit të tij do ta lirojë prej detyrimeve në Izrael». Davidi i pyeti burrat që ishin me të: «Çfarë do të ndodhë me atë që e vret këtë filistin dhe ia heq turpin Izraelit? Kush është ky filistin i parrethprerë që i nguc aradhet e Perëndisë së gjallë?». Njerëzit i treguan me radhë çfarë do t'i ndodhte atij që do ta vriste.