Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 17:1-58

1 Samuelit 17:1-58 AL1

Filistinët i mblodhën ushtritë për luftë në Sokoh të Judës e fushuan mes Sokohut e Azekahut, në Efes Damim. Edhe Sauli e burrat e Izraelit u mblodhën e fushuan në luginën e Elahut. Ata u rreshtuan për t'u ndeshur me filistinët. Filistinët qëndronin në njërin mal, izraelitët në malin tjetër dhe mes tyre ishte lugina. Nga radhët e filistinëve doli një luftëtar me emrin Goliat, prej Gatit. Ai ishte rreth tri metra i gjatë. Në kokë kishte një përkrenare bronzi e mbante veshur një parzmore me luspa bronzi që peshonte rreth pesëdhjetë e shtatë kilogramë. Ishte i mbathur me bronz deri në ijë dhe mbante krahaqafë një heshtë bronzi. Shtiza e drunjtë e heshtës ishte sa shuli i tezgjahut dhe tehu i hekurt i heshtës i peshonte shtatë kilogramë. Përpara i shkonte shqytari. Ai zuri vend e u thirri aradheve të Izraelit: «Përse keni dalë në luftë? A nuk jam unë filistin dhe a nuk jeni ju shërbëtorë të Saulit? Zgjidhni, pra, njërin prej jush të zbresë tek unë. Nëse fiton kundër meje e më vret, ne do të bëhemi skllevërit tuaj, por, nëse fitoj unë dhe e vras, ju do të bëheni skllevërit tanë e do të na shërbeni». Filistini u tha: «Sot po i nguc aradhet e Izraelit! Më çoni dikë për dyluftim!». Kur Sauli e mbarë Izraeli i dëgjuan fjalët e filistinit, u tmerruan dhe i kapi një frikë e madhe. Davidi ishte djali i një efratiti nga Betlehemi që quhej Jese. Ky kishte tetë djem. Në kohën e Saulit ai ishte plak dhe i thyer në moshë. Tre djemtë e mëdhenj të Jeseut kishin ndjekur Saulin në luftë. Ata ishin Eliabi, i parëlinduri, Abinadabi i dyti e Shamahu, i treti. Davidi ishte më i vogli. Tre djemtë e mëdhenj kishin shkuar pas Saulit, ndërsa Davidi shkonte e vinte te Sauli, sepse kulloste dhentë e të atit në Betlehem. Filistini doli për dyzet ditë çdo mëngjes e çdo mbrëmje. Jeseu i tha Davidit, të birit: «Merre këtë thes me misër të pjekur e këto dhjetë bukë e nxito te vëllezërit në luftë. Merr edhe dhjetë copa djathë për kryemijësin. Shih a janë shëndoshë e mirë vëllezërit e më sill një shenjë prej tyre». Ata ishin me Saulin e me tërë izraelitët në luginën e Elahut në luftë me filistinët. Davidi u ngrit herët në mëngjes, i la dhentë në kujdesin e një rojeje dhe u nis siç e kishte urdhëruar Jeseu. Ai mbërriti në fushim kur ushtria po renditej në fushëbetejë e po lëshonte kushtrimin. Ndërkohë izraelitët dhe filistinët po rreshtoheshin për luftë. Davidi i la gjërat te roja i sendeve e vrapoi te vija e frontit për të përshëndetur vëllezërit. Teksa po fliste me ta, nga radhët e filistinëve ia behu luftëtari filistin, Goliati prej Gatit. Ai filloi të fliste si përherë dhe Davidi e dëgjoi. Kur e panë, izraelitët u zmbrapsën para tij nga frika e madhe. Izraelitët thanë: «A e patë atë që doli për të ngucur Izraelin? Kush e vret ka për të marrë pasuri të mëdha si shpërblim prej mbretit. Do t'i japë për grua bijën e vet dhe shtëpinë e atit të tij do ta lirojë prej detyrimeve në Izrael». Davidi i pyeti burrat që ishin me të: «Çfarë do të ndodhë me atë që e vret këtë filistin dhe ia heq turpin Izraelit? Kush është ky filistin i parrethprerë që i nguc aradhet e Perëndisë së gjallë?». Njerëzit i treguan me radhë çfarë do t'i ndodhte atij që do ta vriste. Eliabi, vëllai i madh, e dëgjoi kur po fliste me njerëzit, u zemërua e i tha: «Përse erdhe? Me kë i le ato pak dhen në shkretëtirë? Të njoh mirë, je mendjemadh e zemërzi! Erdhe vetëm për të parë betejën». Davidi iu përgjigj: «Çfarë bëra tani? Vetëm një fjalë thashë!». Pastaj Davidi iu drejtua edhe dikujt tjetër dhe i bëri të njëjtën pyetje. Populli i ktheu të njëjtën përgjigje si më parë. Saulit i treguan se ç'kishte thënë Davidi dhe dërgoi njerëz ta thërrisnin. Atëherë Davidi i tha Saulit: «Të mos e lëshojë zemra asnjërin për shkak të tij. Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë filistin!». Sauli i tha: «Nuk ia del dot të luftosh kundër këtij filistini, se ti je djalosh e ai është luftëtar i regjur». Davidi i tha Saulit: «Shërbëtori yt i ka shërbyer të atit si bari dhensh. Kur vinte ndonjë luan apo ari dhe grabiste ndonjë dele prej kullotës unë e ndiqja pas, e godisja dhe e shpëtoja delen prej gojës së grabitqarit. Kur më sulej, e kapja për krife, e godisja dhe e vrisja. Shërbëtori yt ka vrarë luanë e arinj dhe ky filistin i parrethprerë do të përfundojë si ata, sepse nguci aradhet e Perëndisë së gjallë». Davidi tha: «ZOTI, që më shpëtoi prej kthetrave të luanit e të ariut, do të më shpëtojë prej dorës së këtij filistini». Sauli iu përgjigj: «Shko, ZOTI qoftë me ty». Sauli i dha Davidit armatimin e vet, i vuri në krye një përkrenare prej bronzi dhe e veshi me parzmore. Pastaj Davidi ngjeshi shpatën, por nuk ecte dot, sepse nuk ishte mësuar me to. Atëherë i tha Saulit: «Nuk eci dot me gjithë këto, se nuk jam mësuar», prandaj i hoqi. Pastaj mori shkopin, zgjodhi pesë gurë të lëmuar prej përroit, i futi në trastën e bariut, që kishte me vete, dhe me hobe në dorë iu afrua filistinit. Edhe filistini filloi të afrohej me shqytarin që i printe. Kur e pa Davidin, filloi ta përbuzte, sepse ishte djalosh kuqalosh e i pashëm. Filistini i tha Davidit: «Mos të dukem qen, që më vjen me shkop?». Dhe e mallkoi Davidin në emër të perëndive të vet. Filistini vijoi: «Eja! Kufomën tënde do t'ua hedh shpendëve të qiellit e kafshëve të egra». Davidi i tha filistinit: «Ti vjen me shpatë, heshtë e shtizë, ndërsa unë vij në emër të ZOTIT të ushtrive, Perëndisë së aradheve të Izraelit, që ti po nguc. Sot, ZOTI do të të lërë në dorën time e unë do të të vras e do të ta pres kokën. Kufomat e ushtarëve filistinë do t'ua hedh sot shpendëve të qiellit e kafshëve të egra, që ta dijë mbarë toka se ka Perëndi në Izrael. Ta marrë vesh gjithë kjo turmë se ZOTI shpëton pa shpatë e pa heshtë. ZOTI e fiton betejën dhe ai do t'ju lërë në dorën tonë». Kur filistini u ngrit e iu afrua, Davidi nxitoi e doli me vrap në fushëbetejë që të ndeshej me të. Futi dorën në trastë, mori që andej një gur, e vërviti me hobe, e qëlloi filistinin në lule të ballit e guri iu ngul në ballë. Filistini u shemb me fytyrë përdhe. Davidi fitoi kundër filistinit vetëm me një hobe e me një gur. E qëlloi filistinin dhe e vrau, edhe pse Davidi nuk kishte shpatë në dorë. Atëherë nxitoi, u hodh mbi filistinin, ia mori shpatën dhe, si ia nxori nga milli, e theri e ia preu kokën. Filistinët ia mbathën sapo panë se u vdiq trimi. Atëherë burrat e Izraelit e të Judës u ngritën, lëshuan kushtrimin e i ndoqën filistinët deri në Gat e deri te portat e Ekronit. Kufomat e filistinëve u dergjën udhës së Sharaimit deri në Gat e në Ekron. Pastaj izraelitët u kthyen nga ndjekja e filistinëve dhe plaçkitën fushimet e tyre. Davidi mori kokën e filistinit dhe e çoi në Jerusalem. Ia mori edhe armët e i vendosi në tendën e vet. Kur Sauli pa se Davidi kishte dalë për t'u ndeshur me filistinin, e pyeti Abnerin, prijësin e ushtrisë: «Abner, biri i kujt është ky djalosh?». Abneri iu përgjigj: «Pasha jetën tënde, o mbret, nuk e di». Mbreti tha: «Pyet se biri i kujt është ky çunak». Kur Davidi u kthye, pasi kishte vrarë filistinin, Abneri e mori dhe e solli para Saulit. Davidi mbante ende në dorë kokën e filistinit. Sauli e pyeti: «Djalosh, biri i kujt je?». Ai i tha: «Biri i shërbëtorit tënd, Jeseut, betlehemasit».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë