Filistinët i mblodhën ushtritë për luftë në Sokoh të Judës e fushuan mes Sokohut e Azekahut, në Efes Damim. Edhe Sauli e burrat e Izraelit u mblodhën e fushuan në luginën e Elahut. Ata u rreshtuan për t'u ndeshur me filistinët. Filistinët qëndronin në njërin mal, izraelitët në malin tjetër dhe mes tyre ishte lugina. Nga radhët e filistinëve doli një luftëtar me emrin Goliat, prej Gatit. Ai ishte rreth tri metra i gjatë. Në kokë kishte një përkrenare bronzi e mbante veshur një parzmore me luspa bronzi që peshonte rreth pesëdhjetë e shtatë kilogramë. Ishte i mbathur me bronz deri në ijë dhe mbante krahaqafë një heshtë bronzi. Shtiza e drunjtë e heshtës ishte sa shuli i tezgjahut dhe tehu i hekurt i heshtës i peshonte shtatë kilogramë. Përpara i shkonte shqytari. Ai zuri vend e u thirri aradheve të Izraelit: «Përse keni dalë në luftë? A nuk jam unë filistin dhe a nuk jeni ju shërbëtorë të Saulit? Zgjidhni, pra, njërin prej jush të zbresë tek unë. Nëse fiton kundër meje e më vret, ne do të bëhemi skllevërit tuaj, por, nëse fitoj unë dhe e vras, ju do të bëheni skllevërit tanë e do të na shërbeni». Filistini u tha: «Sot po i nguc aradhet e Izraelit! Më çoni dikë për dyluftim!». Kur Sauli e mbarë Izraeli i dëgjuan fjalët e filistinit, u tmerruan dhe i kapi një frikë e madhe.
Davidi ishte djali i një efratiti nga Betlehemi që quhej Jese. Ky kishte tetë djem. Në kohën e Saulit ai ishte plak dhe i thyer në moshë. Tre djemtë e mëdhenj të Jeseut kishin ndjekur Saulin në luftë. Ata ishin Eliabi, i parëlinduri, Abinadabi i dyti e Shamahu, i treti. Davidi ishte më i vogli. Tre djemtë e mëdhenj kishin shkuar pas Saulit, ndërsa Davidi shkonte e vinte te Sauli, sepse kulloste dhentë e të atit në Betlehem. Filistini doli për dyzet ditë çdo mëngjes e çdo mbrëmje.
Jeseu i tha Davidit, të birit: «Merre këtë thes me misër të pjekur e këto dhjetë bukë e nxito te vëllezërit në luftë. Merr edhe dhjetë copa djathë për kryemijësin. Shih a janë shëndoshë e mirë vëllezërit e më sill një shenjë prej tyre». Ata ishin me Saulin e me tërë izraelitët në luginën e Elahut në luftë me filistinët.
Davidi u ngrit herët në mëngjes, i la dhentë në kujdesin e një rojeje dhe u nis siç e kishte urdhëruar Jeseu. Ai mbërriti në fushim kur ushtria po renditej në fushëbetejë e po lëshonte kushtrimin. Ndërkohë izraelitët dhe filistinët po rreshtoheshin për luftë. Davidi i la gjërat te roja i sendeve e vrapoi te vija e frontit për të përshëndetur vëllezërit. Teksa po fliste me ta, nga radhët e filistinëve ia behu luftëtari filistin, Goliati prej Gatit. Ai filloi të fliste si përherë dhe Davidi e dëgjoi.
Kur e panë, izraelitët u zmbrapsën para tij nga frika e madhe. Izraelitët thanë: «A e patë atë që doli për të ngucur Izraelin? Kush e vret ka për të marrë pasuri të mëdha si shpërblim prej mbretit. Do t'i japë për grua bijën e vet dhe shtëpinë e atit të tij do ta lirojë prej detyrimeve në Izrael». Davidi i pyeti burrat që ishin me të: «Çfarë do të ndodhë me atë që e vret këtë filistin dhe ia heq turpin Izraelit? Kush është ky filistin i parrethprerë që i nguc aradhet e Perëndisë së gjallë?». Njerëzit i treguan me radhë çfarë do t'i ndodhte atij që do ta vriste.
Eliabi, vëllai i madh, e dëgjoi kur po fliste me njerëzit, u zemërua e i tha: «Përse erdhe? Me kë i le ato pak dhen në shkretëtirë? Të njoh mirë, je mendjemadh e zemërzi! Erdhe vetëm për të parë betejën». Davidi iu përgjigj: «Çfarë bëra tani? Vetëm një fjalë thashë!». Pastaj Davidi iu drejtua edhe dikujt tjetër dhe i bëri të njëjtën pyetje. Populli i ktheu të njëjtën përgjigje si më parë.
Saulit i treguan se ç'kishte thënë Davidi dhe dërgoi njerëz ta thërrisnin. Atëherë Davidi i tha Saulit: «Të mos e lëshojë zemra asnjërin për shkak të tij. Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë filistin!». Sauli i tha: «Nuk ia del dot të luftosh kundër këtij filistini, se ti je djalosh e ai është luftëtar i regjur». Davidi i tha Saulit: «Shërbëtori yt i ka shërbyer të atit si bari dhensh. Kur vinte ndonjë luan apo ari dhe grabiste ndonjë dele prej kullotës unë e ndiqja pas, e godisja dhe e shpëtoja delen prej gojës së grabitqarit. Kur më sulej, e kapja për krife, e godisja dhe e vrisja. Shërbëtori yt ka vrarë luanë e arinj dhe ky filistin i parrethprerë do të përfundojë si ata, sepse nguci aradhet e Perëndisë së gjallë». Davidi tha: «ZOTI, që më shpëtoi prej kthetrave të luanit e të ariut, do të më shpëtojë prej dorës së këtij filistini». Sauli iu përgjigj: «Shko, ZOTI qoftë me ty».
Sauli i dha Davidit armatimin e vet, i vuri në krye një përkrenare prej bronzi dhe e veshi me parzmore. Pastaj Davidi ngjeshi shpatën, por nuk ecte dot, sepse nuk ishte mësuar me to. Atëherë i tha Saulit: «Nuk eci dot me gjithë këto, se nuk jam mësuar», prandaj i hoqi. Pastaj mori shkopin, zgjodhi pesë gurë të lëmuar prej përroit, i futi në trastën e bariut, që kishte me vete, dhe me hobe në dorë iu afrua filistinit.
Edhe filistini filloi të afrohej me shqytarin që i printe. Kur e pa Davidin, filloi ta përbuzte, sepse ishte djalosh kuqalosh e i pashëm. Filistini i tha Davidit: «Mos të dukem qen, që më vjen me shkop?». Dhe e mallkoi Davidin në emër të perëndive të vet. Filistini vijoi: «Eja! Kufomën tënde do t'ua hedh shpendëve të qiellit e kafshëve të egra». Davidi i tha filistinit: «Ti vjen me shpatë, heshtë e shtizë, ndërsa unë vij në emër të ZOTIT të ushtrive, Perëndisë së aradheve të Izraelit, që ti po nguc. Sot, ZOTI do të të lërë në dorën time e unë do të të vras e do të ta pres kokën. Kufomat e ushtarëve filistinë do t'ua hedh sot shpendëve të qiellit e kafshëve të egra, që ta dijë mbarë toka se ka Perëndi në Izrael. Ta marrë vesh gjithë kjo turmë se ZOTI shpëton pa shpatë e pa heshtë. ZOTI e fiton betejën dhe ai do t'ju lërë në dorën tonë».
Kur filistini u ngrit e iu afrua, Davidi nxitoi e doli me vrap në fushëbetejë që të ndeshej me të. Futi dorën në trastë, mori që andej një gur, e vërviti me hobe, e qëlloi filistinin në lule të ballit e guri iu ngul në ballë. Filistini u shemb me fytyrë përdhe.
Davidi fitoi kundër filistinit vetëm me një hobe e me një gur. E qëlloi filistinin dhe e vrau, edhe pse Davidi nuk kishte shpatë në dorë.