Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 15:13-31

1 Samuelit 15:13-31 AL1

Samueli shkoi tek ai dhe kur Sauli e takoi, i tha: «Të bekoftë ZOTI! Ia mbajta fjalën ZOTIT». Por Samueli iu përgjigj: «Ç'është kjo blegërimë qengjash që po më kapin veshët? Ç'është kjo pëllitje lopësh që po dëgjoj?». Sauli i tha: «I sollëm prej Amalekut. Populli i kurseu dhentë e qetë më të mira për t'ia kushtuar ZOTIT, Perëndisë tënd, ndërsa pjesën tjetër e shfarosëm». Samueli i tha Saulit: «Hesht! Do të të tregoj se çfarë më tha ZOTI mbrëmë». Sauli i tha: «Fol!». Samueli i tha: «Edhe pse të duket vetja i vogël, je kreu i fiseve të Izraelit. ZOTI të vajosi mbret mbi Izraelin. ZOTI të dërgoi e të tha: “Shfarosi amalekitët, ata mëkatarë. Lufto kundër tyre derisa t'i shkatërrosh”. Përse, pra, nuk e dëgjove zërin e ZOTIT, por iu vërsule plaçkës duke bërë ligësi në sytë e ZOTIT?». Sauli iu përgjigj Samuelit: «E kam dëgjuar zërin e ZOTIT. Shkova siç më dërgoi ZOTI dhe e kapa Agagun, mbretin e amalekitëve, ndërsa amalekitët i shfarosa. Populli mori për plaçkë dhentë e qetë më të mira, që ishin caktuar për t'u shfarosur, për t'ia kushtuar në Gilgal ZOTIT, Perëndisë tënd». Atëherë Samueli i tha: «Pse, a i pëlqejnë ZOTIT flitë e shkrumbimit e flitë e tjera më shumë se t'i dëgjohet fjala? Ja, më mirë është dëgjesa, se flitë, më mirë vëmendja, se dhjami i deshve. Kundërshtimi është si mëkati i shortarisë, kokëfortësia si ligësia e idhujtarisë. Ngaqë e përbuze fjalën e ZOTIT, ai e përbuzi sundimin tënd». Atëherë Sauli i tha Samuelit: «Mëkatova, sepse shkela fjalën e ZOTIT dhe fjalët e tua. Pata frikë popullin dhe dëgjova fjalën e tij. Tani, pra, ma fal mëkatin e kthehu bashkë me mua që të adhuroj ZOTIN». Samueli i tha: «Jo, nuk do të kthehem me ty, se ti e përbuze fjalën e ZOTIT e ZOTI të përbuzi si mbret të Izraelit». Samueli bëri të largohej, por Sauli e kapi prej fundit të petkut e ia shqeu. Samueli i tha: «Sot, ZOTI e shqeu mbretërinë e Izraelit prej teje e ia dhuroi një tjetri që është më i mirë se ti. Për më tepër ai që është lavdia e Izraelit nuk gënjen e nuk pendohet, se nuk është njeri që të pendohet». Sauli i tha: «Kam mëkatuar, por të lutem më ndero para pleqësisë së popullit e para Izraelit e kthehu me mua që të adhuroj ZOTIN, Perëndinë tënd». Samueli u kthye me të dhe Sauli adhuroi ZOTIN.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë