Jonatani sulmoi kullën e vrojtimit në Gebë dhe tërë filistinët e morën vesh. Edhe Sauli i ra borisë anekënd vendit e shpalli: «Ta marrin vesh hebrenjtë!». Kur mbarë populli dëgjoi se Sauli kishte sulmuar kullën e vrojtimit të filistinëve dhe se kështu e kishte futur Izraelin në armiqësi me ta, u mblodh në Gilgal rreth Saulit. Edhe filistinët mblodhën për luftë kundër Izraelit tre mijë karroca, gjashtë mijë kalorës dhe ushtarë të panumërt, porsi rëra e detit. Ata u nisën e fushuan në Mikmas, në lindje të Bet Avenit. Kur e panë izraelitët se ishin në rrezik, ngaqë ushtria e tyre gjendej ngushtë, u fshehën nëpër shpella, pyje, shkrepa, guva e puse. Disa hebrenj kaluan përtej Jordanit, në tokën e Gadit e të Gileadit. Sauli ishte ende në Gilgal, por tërë ushtria përreth tij dridhej nga frika. Sauli priti shtatë ditë, siç kishte caktuar Samueli, por ai nuk erdhi në Gilgal dhe ushtria filloi të shpërndahej. Sauli tha: «M'i sillni flitë e shkrumbimit e të paqtimit». Atëherë kushtoi flinë e shkrumbimit. Sapo përfundoi flinë e shkrumbimit, mbërriti Samueli. Sauli doli ta takonte e ta përshëndeste. Por Samueli i tha: «Çfarë bëre kështu?». Ai iu përgjigj: «Kur pashë se ushtria po largohej prej meje dhe se ti nuk po vije në kohën e caktuar, ndërkohë që filistinët po mblidheshin në Mikmas, mendova se filistinët do të më sulmonin në Gilgal, pa e marrë ende bekimin prej ZOTIT, prandaj m'u desh ta kushtoja flinë e shkrumbimit». Samueli i tha: «Veprove marrëzisht! Nuk e mbajte urdhrin që të dha ZOTI, Perëndia yt. ZOTI do ta kishte bërë mbretërinë tënde në Izrael të palëkundur deri në amshim, por tani mbretëria jote nuk do të qëndrojë më. ZOTI ka kërkuar një njeri tjetër sipas zemrës së vet dhe e ka urdhëruar t'i prijë popullit të tij, sepse ti nuk e zbatove urdhrin e ZOTIT».
Lexo 1 Samuelit 13
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: 1 Samuelit 13:3-14
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video