Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 1:7-20

1 Samuelit 1:7-20 AL1

Kështu ndodhte çdo vit. Sa herë që shkonte në shtëpinë e ZOTIT, kundërshtarja e thumbonte dhe ajo qante e nuk hante. Elkanahu, i shoqi, i thoshte: «Përse qan e nuk ha? Përse je e trishtuar? A nuk jam unë për ty më i mirë sesa dhjetë djem?». Një herë, pasi patën ngrënë e pirë në Shiloh, Ana u ngrit ndërsa prifti Eli rrinte ulur në ndenjëse, në të hyrë të tempullit të ZOTIT. Me shpirt të këputur, ajo iu lut ZOTIT e vajtoi me dënesë duke iu betuar: «O ZOT i ushtrive, në e pafsh mjerimin e shërbëtores tënde, në e kujtofsh e në mos e harrofsh shërbëtoren tënde, në më dhënç një trashëgimtar, ty, o ZOT, do të ta kushtoj tërë jetën e tij e brisku nuk ka për t'ia prekur flokun e kokës». Ndërsa i lutej ende ZOTIT, Eliu po vështronte buzët e saj. Ana po lutej në zemrën e saj, vetëm duke lëvizur buzët e pa bërë zë. Kështu, Eliu kujtoi se kishte pirë, prandaj edhe i tha: «Edhe sa kohë do të rrish e dehur? Mos pi më verë!». Ana iu përgjigj: «Jo, imzot, nuk kam pirë as verë, as pije të forta. Më dhemb shpirti, prandaj dhe po ia zbraz zemrën ZOTIT. Mos kujto se shërbëtorja jote është grua e pahijshme. Gjithë kësaj kohe jam lutur për shkak të mjerimit dhe dëshpërimit tim të madh». Atëherë Eliu i tha: «Shko në paqe. Perëndia i Izraelit ta plotësoftë kërkesën që i bëre!». Ajo i tha: «Gjettë hir para teje shërbëtorja jote!». Pastaj shkoi udhës së vet, hëngri dhe nuk pati më fytyrë të trishtuar. Të nesërmen u ngritën herët në mëngjes, adhuruan ZOTIN dhe u kthyen në shtëpinë e tyre në Ramah. Elkanahu fjeti me Anën, gruan e tij, dhe ZOTI e kujtoi. Kur u plotësuan ditët, Ana mbeti shtatzënë e lindi një djalë. Ajo e quajti Samuel, sepse tha: «ZOTIT ia kërkova!».