Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 1:1-20

1 Samuelit 1:1-20 AL1

Ishte një herë një burrë prej Ramahut, një cofit nga malet e Efraimit, që quhej Elkanah. Ai ishte biri i Jerohamit, të birit të Elihuit, të birit të Tohuit, të birit të Cuf Efratitit. Elkanahu kishte dy gra. Njëra quhej Ana, tjetra Penina. Penina kishte fëmijë, ndërsa Ana jo. Ky njeri nisej për vit nga qytetit i tij e shkonte në Shiloh për të adhuruar e për t'i kushtuar fli ZOTIT të ushtrive. Atje shërbenin si priftërinj të ZOTIT dy bijtë e Eliut, Hofniu e Finehasi. Kur kushtonte fli, Elkanahu u jepte nga një pjesë të flisë Peninës, gruas së tij, dhe tërë bijve e bijave të saj, ndërsa Anës i jepte vetëm një pjesë, sepse, edhe pse e donte, ZOTI e kishte lënë beronjë. Anën e mundonte edhe kundërshtarja e saj që e thumbonte për shkak se ZOTI e kishte lënë beronjë. Kështu ndodhte çdo vit. Sa herë që shkonte në shtëpinë e ZOTIT, kundërshtarja e thumbonte dhe ajo qante e nuk hante. Elkanahu, i shoqi, i thoshte: «Përse qan e nuk ha? Përse je e trishtuar? A nuk jam unë për ty më i mirë sesa dhjetë djem?». Një herë, pasi patën ngrënë e pirë në Shiloh, Ana u ngrit ndërsa prifti Eli rrinte ulur në ndenjëse, në të hyrë të tempullit të ZOTIT. Me shpirt të këputur, ajo iu lut ZOTIT e vajtoi me dënesë duke iu betuar: «O ZOT i ushtrive, në e pafsh mjerimin e shërbëtores tënde, në e kujtofsh e në mos e harrofsh shërbëtoren tënde, në më dhënç një trashëgimtar, ty, o ZOT, do të ta kushtoj tërë jetën e tij e brisku nuk ka për t'ia prekur flokun e kokës». Ndërsa i lutej ende ZOTIT, Eliu po vështronte buzët e saj. Ana po lutej në zemrën e saj, vetëm duke lëvizur buzët e pa bërë zë. Kështu, Eliu kujtoi se kishte pirë, prandaj edhe i tha: «Edhe sa kohë do të rrish e dehur? Mos pi më verë!». Ana iu përgjigj: «Jo, imzot, nuk kam pirë as verë, as pije të forta. Më dhemb shpirti, prandaj dhe po ia zbraz zemrën ZOTIT. Mos kujto se shërbëtorja jote është grua e pahijshme. Gjithë kësaj kohe jam lutur për shkak të mjerimit dhe dëshpërimit tim të madh». Atëherë Eliu i tha: «Shko në paqe. Perëndia i Izraelit ta plotësoftë kërkesën që i bëre!». Ajo i tha: «Gjettë hir para teje shërbëtorja jote!». Pastaj shkoi udhës së vet, hëngri dhe nuk pati më fytyrë të trishtuar. Të nesërmen u ngritën herët në mëngjes, adhuruan ZOTIN dhe u kthyen në shtëpinë e tyre në Ramah. Elkanahu fjeti me Anën, gruan e tij, dhe ZOTI e kujtoi. Kur u plotësuan ditët, Ana mbeti shtatzënë e lindi një djalë. Ajo e quajti Samuel, sepse tha: «ZOTIT ia kërkova!».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë