Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 8:54-66

1 Mbretërve 8:54-66 AL1

Kur mbaroi së drejtuari ZOTIT të gjitha këto lutje e përgjërime, Solomoni u ngrit më këmbë para altarit të ZOTIT, ku ishte gjunjëzuar me duart e ngritura drejt qiellit, bekoi bashkësinë e Izraelit me zë të lartë e tha: «Bekuar qoftë ZOTI që i dha prehje popullit të tij, Izraelit, ashtu siç kishte premtuar. Asnjë nga premtimet e mira, që bëri përmes Moisiut, shërbëtorit të tij, nuk mbeti pa u përmbushur. ZOTI, Perëndia ynë, qoftë me ne, ashtu siç ka qenë me paraardhësit tanë. Mos na braktistë e mos na lëntë, por na i prirtë zemrat drejt tij, që të ecim në udhët e tij e që të mbajmë urdhërimet, rregullat e vendimet që ai u urdhëroi etërve tanë. ZOTI, Perëndia ynë, i kujtoftë ditë e natë fjalët e përgjërimeve që bëra para Zotit, që e drejta e shërbëtorit të tij dhe e popullit të tij, Izraelit, të ngadhënjejë ditë pas dite. Kështu, të gjithë popujt e tokës do ta dinë se ZOTI është Perëndia dhe se nuk ka tjetër. Zemra juaj iu përkushtoftë plotësisht ZOTIT, Perëndisë tonë, që të ecni sipas rregullave të tij e të mbani urdhërimet e tij, ashtu si sot». Pastaj, mbreti e mbarë Izraeli bashkë me të, kushtuan fli para ZOTIT. Solomoni i kushtoi ZOTIT si fli paqtimi njëzet e dy mijë qe dhe njëqind e njëzet mijë dhen. Kështu, mbreti dhe të gjithë izraelitët ia kushtuan tempullin ZOTIT. Po atë ditë, mbreti shenjtëroi qendrën e tremes, që ndodhej përpara tempullit të ZOTIT. Atje kushtoi flinë e shkrumbimit, flinë e drithit dhe dhjamin e flive të paqtimit, sepse altari prej bronzi, që ndodhej para ZOTIT, ishte tepër i vogël për të nxënë flinë e shkrumbimit, flinë e drithit dhe dhjamin e flive të paqtimit. Në atë kohë Solomoni dhe e gjithë bashkësia e madhe e izraelitëve, që kishin ardhur nga Lebo Hamati e deri nga përroi i Egjiptit, bënë një festë para ZOTIT, Perëndisë tonë. Kremtimet zgjatën shtatë ditë. Ditën e tetë mbreti e la popullin të shkonte. Izraelitët e bekuan mbretin dhe u kthyen nëpër tendat e veta të kënaqur e me gëzim në zemër për të gjitha të mirat që ZOTI i kishte dhënë shërbëtorit të tij, Davidit, dhe Izraelit, popullit të vet.