Atëherë Solomoni qëndroi përpara altarit të ZOTIT në prani të mbarë bashkësisë së Izraelit, ngriti duart drejt qiellit, e tha: «O ZOT, Perëndi i Izraelit, nuk ka tjetër perëndi si ti as lart në qiell e as poshtë në tokë, ti që i qëndron besnik besëlidhjes që ke bërë me shërbëtorët e tu, kur ata ecin para teje me gjithë zemër, ti që i mbajte premtimet që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim. Ato që premtove me gojën tënde, i përmbushe me dorën tënde, e ashtu po bën edhe sot. E tani, o ZOT, Perëndi i Izraelit, mbaje premtimin që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim, kur i the: “Nuk do t'ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit, vetëm nëse ata do të kenë kujdes të ecin para meje ashtu si ti”. Prandaj, o Perëndi i Izraelit, le të plotësohet premtimi që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim.
Por, a mund të banosh vërtet mbi tokë, o Perëndi? Ja, ty nuk të nxënë as qiejt e qiejve e aq më pak ky tempull që ta ndërtova unë! Vëri, pra, vesh lutjes së shërbëtorit tënd e përgjërimit të tij, o ZOT, Perëndia im! Dëgjoje thirrjen e lutjen që shërbëtori yt po të drejton sot! Sytë e tu qëndrofshin hapur e pafshin nga ky tempull natë e ditë, nga ky vend për të cilin the: “Aty do të jetë emri im!”. Dëgjoje lutjen që shërbëtori yt po të drejton prej këtij vendi! Dëgjoje përgjërimin e shërbëtorit tënd e të popullit tënd, Izraelit, sa herë që të lutet drejt këtij vendi! Dëgjoje prej vendit ku banon në qiej! Dëgjona e përdëllena!
Kur dikush mëkaton kundër të afërtit e i kërkohet të betohet për pafajësinë e tij dhe ai vjen për t'u betuar përpara altarit tënd në këtë tempull, dëgjoje prej qiellit, vepro dhe gjykoji shërbëtorët e tu. Dënoje të paudhin, që e keqja t'i bjerë mbi kokë vetë atij, shpalle të pafajshëm të pafajshmin dhe shpërbleje sipas drejtësisë së tij.
Kur Izraeli, populli yt, të mposhtet para armikut, për shkak se do të ketë mëkatuar kundër teje, por më pas kthehet te ti, duke përlëvduar emrin tënd, duke t'u lutur e duke t'u përgjëruar në këtë tempull, dëgjoje prej qiellit, falja mëkatin e ktheje në vendin që u ke dhënë paraardhësve të tij.
Kur të ndryhet qielli e të mos bjerë më shi, për shkak se izraelitët do të kenë mëkatuar kundër teje, por më pas luten drejt këtij vendi, duke përlëvduar emrin tënd e duke u penduar për mëkatet e tyre, për shkak të ndëshkimit tënd, dëgjoji prej qiellit e fale mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe të popullit tënd, Izraelit, mësoju udhën e së mirës, nëpër të cilën duhet të ecin, dhe jepi shi tokës sate, tokës që ia dhe për trashëgim popullit tënd.
Nëse vendin e godet zia e bukës apo murtaja, nëse e ha vrugu, myku, karkaleci apo vemja, nëse e rrethon armiku nga të gjitha anët, nëse mbi të bien çfarëdolloj plagësh e sëmundjesh, dhe nëse çdo njeri apo mbarë populli yt, Izraeli, të lutet e të përgjërohet, duke lartësuar duart drejt këtij tempulli, për shkak të plagës që ka në zemër, dëgjoje prej qiellit, prej vendit ku banon, fal, vepro e jepi secilit sipas sjelljes së tij, se ti ia njeh zemrën dhe vetëm ti e njeh zemrën e çdo njeriu. Kështu, ty do të të druajnë të gjithë sa të jenë gjallë mbi tokën që u dhe paraardhësve të tyre.
Edhe i huaji, që nuk i përket popullit tënd, Izraelit, nëse vjen nga një vend i largët për hir të emrit tënd, që të lutet drejt këtij tempulli, për shkak se ka dëgjuar për emrin tënd të madhërishëm, për dorën tënde të fuqishme e për krahun tënd të gjithëpushtetshëm, dëgjoje prej qiellit, prej vendit ku banon dhe plotësoja të gjitha kërkesat që të bën. Kështu, të gjithë popujt e botës do ta njohin emrin tënd, do të të druajnë, siç të druan populli yt Izrael, dhe do ta dinë se emri yt thirret në këtë tempull që të ndërtova unë.