Në Gibeon, ZOTI iu shfaq Solomonit në ëndërr natën dhe e pyeti: «Kërko ç'të duash e unë do të ta jap». Solomoni i tha: «Ti ke treguar mirësi të madhe me shërbëtorin tënd, Davidin, atin tim, sepse ai jetoi në praninë tënde me besnikëri, me drejtësi dhe me zemër të ndershme ndaj teje. Ti i qëndrove besnik kësaj mirësisë sate të madhe dhe i dhe një bir, që të ulet në fronin e tij, siç ndodh sot. E tani, o ZOT, Perëndia im, ti më ke bërë mbret në vend të Davidit, atit tim, megjithëse unë jam veçse një djalosh i ri dhe nuk di si të mbretëroj. Shërbëtori yt gjendet mes popullit tënd të zgjedhur, mes një populli aq të madh, sa nuk mund të numërohet. Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër të urtë, që të mund ta udhëheqë popullin tënd dhe të dijë të dallojë të mirën nga e keqja, sepse kush mund ta udhëheqë popullin tënd kaq të madh?».
Zotit i pëlqeu kërkesa që bëri Solomoni. Atëherë Perëndia i tha: «Meqë kërkove këtë gjë dhe nuk më kërkove as jetë të gjatë, as pasuri e as vdekjen e armiqve të tu, por dije për të udhëhequr, ja, po bëj siç më kërkove dhe po të jap një zemër me aq urti e dije, saqë nuk e ka pasur askush para teje e nuk do ta ketë askush pas teje. Po të jap edhe çka nuk kërkove: pasuri e lavdi. Kështu, gjatë gjithë jetës sate, nuk do të ketë mbret të ngjashëm me ty. E nëse do të ecësh udhëve të mia, duke mbajtur rregullat dhe urdhërimet e mia, siç bëri ati yt, Davidi, do të të jap jetë të gjatë».
Atëherë Solomoni u zgjua dhe pa se kishte qenë në ëndërr. Mandej u kthye në Jerusalem, shkoi para arkës së besëlidhjes së Zotit, kushtoi fli shkrumbimi e paqtimi dhe shtroi një gosti për të gjithë shërbëtorët e tij.