Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 22

22
Ahabi sulmon Ramotin e Gileadit
1Për tre vjet nuk pati luftë ndërmjet Aramit dhe Izraelit. 2Vitin e tretë, Joshafati, mbreti i Judës shkoi të takohej me mbretin e Izraelit. 3Mbreti i Izraelit u tha shërbëtorëve të tij: «A e dini se Ramoti i Gileadit na përket neve? Përse nuk bëjmë asgjë për t'ia marrë nga duart mbretit të Aramit?». 4Atëherë Ahabi i tha Joshafatit: «A do të vish me mua të luftojmë për Ramotin e Gileadit?». Joshafati i tha mbretit të Izraelit: «Unë dhe ti jemi një. Luftëtarët e mi janë të tutë dhe kuajt e mi janë të tutë».
5Joshafati i tha Ahabit, mbretit të Izraelit: «Të lutem, veçse, këshillohu që sot me Zotin». 6Atëherë mbreti i Izraelit mblodhi profetët, rreth katërqind në numër, e u tha: «A të shkoj në luftë për Ramotin e Gileadit apo të heq dorë?». Profetët i thanë: «Shko, sepse Zoti ka për t'ia dorëzuar mbretit». 7Por Joshafati pyeti: «A ka ndonjë profet tjetër të Zotit, me të cilin mund të këshillohemi?». 8Mbreti i Izraelit iu përgjigj Joshafatit: «Ka edhe një profet tjetër, me anë të të cilit mund të këshillohemi me Zotin. Është Mikahu, biri i Imlahut, por unë e urrej, sepse ai nuk profetizon asnjëherë mirë për mua, por vetëm keq». Joshafati i tha: «Mos fol ashtu, o mbret!». 9Atëherë mbreti i Izraelit thirri një nga zyrtarët e i tha: «Më sill shpejt Mikahun, të birin e Imlahut!». 10Mbreti i Izraelit dhe Joshafati, mbreti i Judës, ishin ulur te sheshi pranë portave të qytetit të Samarisë, secili në fronin e vet, veshur me stoli mbretërore, ndërsa profetët profetizonin para tyre. 11Sedekia, biri i Kenanahut, bëri brirë hekuri e tha: «Kështu thotë Zoti: me këta brirë do ta shposh tejpërtej Aramin derisa ta shkatërrosh krejt». 12Po ashtu profetizuan edhe profetët e tjerë e thanë: «Shko në Ramot të Gileadit e të priftë e mbara! Zoti ka për t'ia dorëzuar mbretit».
Mikahu parathotë humbjen
13Lajmëtari, që kishte shkuar për të thirrur Mikahun, i tha: «Të gjithë profetët kanë profetizuar njëzëri mbarësi për mbretin. Le të jetë edhe fjala jote e mirë si fjala e tyre e të profetizosh mbarësi». 14Mikahu i tha: «Pasha Zotin, do të them çfarë të më thotë Zoti». 15Mikahu shkoi te mbreti e mbreti i tha: «Mikah, a të shkojmë në luftë për Ramotin e Gileadit apo të heqim dorë?». Mikahu u përgjigj: «Shko e të priftë e mbara! Zoti do t'ia dorëzojë qytetin mbretit». 16Por mbreti i tha: «Sa herë duhet të të përbej, që të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?». 17Mikahu i tha: «Pashë mbarë Izraelin të hapërdarë nëpër male si delet pa bari. E Zoti thotë: “Nuk kanë më prijës. Le të kthehen nëpër shtëpitë e tyre në paqe”». 18Atëherë mbreti i Izraelit i tha Joshafatit: «A nuk të thashë se ai nuk profetizon asnjëherë mirë për mua, por vetëm keq?». 19Mikahu i tha: «Dëgjo, pra, fjalën e Zotit: Pashë Zotin të ulur në fron dhe tërë ushtritë qiellore të engjëjve, që i qëndronin në të djathtë e në të majtë. 20E atëherë Zoti tha: “Kush do ta mashtrojë Ahabin, që të shkojë e të sulmojë Ramotin e Gileadit?”. Njëri thoshte ky e tjetri thoshte ai. 21Atëherë doli një shpirt, u paraqit para Zotit e tha: “Do ta mashtroj unë”. Zoti e pyeti: “Si?”. 22Shpirti tha: “Do të shkoj e do t'i bëj të gjithë profetët e tij të thonë gënjeshtra”. Atëherë Zoti i tha: “Po, kështu do ta mashtrosh vërtet. Shko e bëj siç the!”. 23Kështu, pra, Zoti ka futur një shpirt gënjeshtar në gojën e të gjithë profetëve të tu, sepse në të vërtetë Zoti ka folur për fatkeqësi kundër teje».
24Atëherë Sedekia, biri i Kenanahut, iu afrua Mikahut, i ra me shpullë në faqe e i tha: «Si doli shpirti i Zotit prej meje, që të flasë përmes teje?». 25Mikahu iu përgjigj: «Do ta shohësh ditën që do të vraposh për t'u fshehur në dhomën më të thellë të shtëpisë». 26Atëherë mbreti i Izraelit tha: «Merreni Mikahun dhe çojeni tek Amoni, qeveritari i qytetit, dhe te Joashi, djali i mbretit, 27e thuajuni ta fusin në burg me urdhër të mbretit dhe ta ushqejnë vetëm me pak bukë e ujë, derisa të kthehem unë shëndoshë e mirë». 28Mikahu i tha: «Nëse vërtet kthehesh shëndoshë e mirë, atëherë Zoti nuk ka folur përmes meje». E shtoi: «Mbani vesh, të gjithë ju, o njerëz!».
Vdekja e Ahabit
29Mbreti i Izraelit dhe Joshafati, mbreti i Judës, shkuan për të sulmuar Ramotin e Gileadit. 30Mbreti i Izraelit i tha Joshafatit: «Unë do të ndërroj rrobat për të mos u njohur e do të shkoj për të luftuar, ndërsa ti mbaj veshur rrobat mbretërore». Mbreti i Izraelit ndërroi rrobat dhe shkoi për të luftuar. 31Mbreti i Aramit u kishte dhënë këtë urdhër tridhjetë e dy prijësve të qerreve të luftës: «Mos sulmoni as luftëtarin e thjeshtë e as krerët e tyre, por vetëm mbretin e Izraelit». 32Kur prijësit e qerreve panë karrocën e Joshafatit, menduan se ishte mbreti i Izraelit, prandaj dhe iu vërsulën. Joshafati ia dha ulërimës. 33Prijësit e qerreve e kuptuan se nuk ishte mbreti i Izraelit dhe hoqën dorë nga ndjekja. 34Por një luftëtar tendosi rastësisht harkun dhe shigjeta goditi mbretin e Izraelit mes brezit e parzmores. Atëherë mbreti i tha karrocierit të vet: «Kthehu e më nxirr nga beteja, sepse jam plagosur». 35Atë ditë beteja qe shumë e ashpër. Mbretin e Izraelit e mbështetën mbi karrocën e tij ballë për ballë me luftëtarët e Aramit. Në mbrëmje mbreti vdiq. Gjaku i plagës kishte rrjedhur deri poshtë karrocës. 36Kur po perëndonte dielli, në mbarë fushën e betejës u dha kushtrimi: «Secili të kthehet në qytetin e vet! Secili në vendin e vet!».
37Kështu, mbreti vdiq dhe e sollën për ta varrosur në Samari. 38Kur lanë karrocën e mbretit te një pellg i madh uji në Samari, qentë lëpinë gjakun e tij dhe laviret u lanë, sipas fjalës që kishte thënë Zoti. 39Bëmat e tjera të Ahabit dhe të gjitha veprat e tij, pallati prej fildishi dhe të gjitha qytetet që ndërtoi, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. 40Ahabin e varrosën me paraardhësit e tij. Pas tij mbretëroi Ahazjahu, i biri.
Mbretërimi i Joshafatit në Judë
41Në vitin e katërt të mbretërimit të Ahabit, mbretit të Izraelit, Joshafati u bë mbreti i Judës. 42Joshafati ishte tridhjetë e pesë vjeç kur u bë mbret. Ai mbretëroi njëzet e pesë vjet në Jerusalem. E ëma e Joshafatit ishte bija e Shilhiut dhe quhej Azuba. 43Joshafati u soll si i ati, Asai. Nuk u shmang e bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit. 44#22.44 të tjerë e rendisin si 22.43b Megjithatë faltoret në vende të larta nuk u shkatërruan dhe populli vazhdonte të kushtonte fli dhe të digjte temjan në to.
45Joshafati jetoi në paqe me mbretin e Izraelit. 46Bëmat e tjera të Joshafatit, trimëritë dhe luftrat që bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës.
47Joshafati i zhduku prej vendit lavirët e kultit, që kishin mbetur nga koha e mbretërimit të Asait, atit të tij. 48Në atë kohë nuk kishte mbret në Edom, por vetëm një qeveritar të caktuar nga mbreti i Judës. 49Joshafati ndërtoi edhe anije në Tarshish, që të shkonin në Ofir për të marrë ar, por dërgata nuk ia doli mbanë, sepse anijet u shkatërruan në Ecjon Geber. 50Atëherë Ahazjahu, biri i Ahabit, i tha Joshafatit që detarët e Ahaziahut dhe të Joshafatit të lundronin bashkë, por Joshafati nuk pranoi.
Mbretërimi i Ahaziahut në Izrael
51Joshafati u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit, paraardhësit të tij. Pas Joshafatit mbretëroi Jehorami, i biri. 52Në vitin e shtatëmbëdhjetë të mbretërimit të Joshafatit, mbretit të Judës, Ahazjahu, biri i Ahabit, u bë mbret i Izraelit dhe mbretëroi për dy vjet në Samari. 53Ahazjahu bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe u soll si i ati, si e ëma dhe si Jeroboami, biri i Nebatit, që e shtyu Izraelin në mëkat. 54Ai i shërbeu Baalit dhe e adhuroi, duke ndezur zemërimin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Mbretërve 22: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë