Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 20:31-42

1 Mbretërve 20:31-42 AL1

Atëherë shërbëtorët e tij i thanë: «Kemi dëgjuar se mbretërit e shtëpisë së Izraelit janë zemërmirë. Prandaj le të vishemi me grathore, le të vëmë litarë në kokë dhe le të shkojmë te mbreti i Izraelit. Ndoshta na lë gjallë». Kështu, pasi u veshën me grathore dhe vunë litarë në kokë, ata shkuan te mbreti i Izraelit e i thanë: «Ben Hadadi, shërbëtori yt, thotë: “Të lutem, ma fal jetën”». Ahabi u tha: «A është ende gjallë? Ai është vëllai im». Të dërguarit e panë këtë si shenjë të mirë, prandaj dhe nxituan të thoshin: «Po, Ben Hadadi është vëllai yt». Ai u tha: «Shkoni dhe silleni këtu». Ben Hadadi shkoi tek Ahabi dhe ai e hipi në karrocën e vet. Atëherë Ben Hadadi i tha: «Qytetet, që im atë i mori tyt eti, do të t'i kthej. Hap tregjet e tua në Damask, siç i ka patur edhe im atë në Samari». Ahabi i tha: «Me këtë besëlidhje që bëmë, po të lë të ikësh». Ahabi bëri një besëlidhje me Ben Hadadin dhe e la të ikte. ZOTI i tha njërit prej bijve të profetëve, që t'i thoshte shokut të vet: «Të lutem, më godit!». Shoku i vet nuk pranoi ta godasë. Biri i profetit i tha: «Meqenëse nuk iu binde urdhrit të ZOTIT, sapo të largohesh prej meje, do të të shqyejë luani». E, vërtet, kur shoku i birit të profetit u largua prej tij, iu vërsul një luan dhe e shqeu. Atëherë i biri i profetit takoi një njeri tjetër e i tha: «Të lutem, më godit!». Ai e rrahu dhe e la të plagosur. Mandej profeti u nis e qëndroi rrugës ku do të kalonte mbreti. Profeti kishte lidhur një pëlhurë mbi sy, që mbreti të mos e njihte. Kur po kalonte mbreti, ai i tha duke thirrur: «Shërbëtori yt ishte duke luftuar në betejë, kur ja, m'u afrua një luftëtar, më solli një rob e më tha: “Ruaje këtë njeri. Nëse të ikën, do ta paguash me jetën tënde ose me tre mijë monedha argjendi”. E ndërsa shërbëtori yt ishte i zënë me punë sa andej-këndej, robi i luftës kishte ikur». Mbreti i Izraelit i tha: «E vendose vetë dënimin tënd». Atëherë profeti hoqi menjëherë pëlhurën nga sytë dhe mbreti i Izraelit e njohu që ishte njëri nga profetët. Profeti i tha: «Kështu thotë ZOTI: meqenëse e le të lirë njeriun që kisha caktuar për ta vrarë, do të vdesësh ti në vend të tij dhe populli yt në vend të popullit të tij».