1 Mbretërve 2
2
Këshillat e fundit të Davidit
1Kur po i afrohej dita e vdekjes, Davidi thirri Solomonin, birin e tij, e i tha: 2«Unë po shkoj, siç shkon çdo gjë mbi tokë. Ji i fortë e bëhu burrë! 3Zbato urdhrat që të ka dhënë Zoti, Perëndia yt, dhe ec udhëve të tij. Mbaj rregullat, urdhërimet, vendimet dhe dëshmitë e tij, ashtu siç janë shkruar në ligjin e Moisiut, që të të shkojë mbarë çfarëdo që të bësh e kudo që të shkosh. 4Kështu, Zoti do ta përmbushë premtimin që më bëri kur tha: “Nëse pasardhësit e tu kujdesen që të ecin në praninë time, duke më qëndruar besnikë me gjithë zemër e me gjithë shpirt, nuk do t'ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit”.
5Për më tepër, ti e di ç'më bëri Joabi, biri i Cerujahut, e ç'u bëri dy krerëve të ushtrisë së Izraelit, Abnerit, birit të Nerit, dhe Amasait, birit të Jeterit. I vrau, duke derdhur gjak në kohë paqeje, si të ishte kohë lufte. Ai ka njollosur me gjak lufte brezin që ngjesh në ijë dhe sandalet që mbath në këmbë. 6Vepro me urti e mos lejo që ai të zbresë i qetë në skëterrë, kur t'i jenë zbardhur flokët. 7Por me bijtë e Barzilait tregohu i mirë dhe ftoji të hanë në tryezën tënde, se ata m'u gjendën pranë kur mora arratinë për t'i shpëtuar vëllait tënd, Absalomit. 8Ka mbetur edhe Shimei, biri i Gerait, benjaminasi nga Bahurimi. Ai është pranë teje, por ka thënë një mallkim të rëndë kundër meje, ditën që po shkoja në Mahanaim. Erdhi e më takoi në Jordan dhe unë iu betova para Zotit se nuk do ta vrisja me shpatë. 9Por mos e lë pa e ndëshkuar, sepse ti je burrë i urtë dhe e di vetë si duhet të veprosh me të. Plandose në skëterrë me thinjat tërë gjak».
Vdekja e Davidit
10Davidi u preh me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. 11Ai mbretëroi dyzet vjet në Izrael, shtatë në Hebron dhe tridhjetë e tre në Jerusalem. 12Mbi fronin e Davidit u ul biri i tij, Solomoni, dhe mbretërimi i tij u forcua shumë.
Fuqizimi i mbretërimit të Solomonit
13Një ditë, Adonjahu, biri i Hagitës, shkoi te Batsheba, nëna e Solomonit, e ajo e pyeti: «Vjen me qëllime paqësore?». Ai iu përgjigj: «Po, vij me qëllime paqësore». 14Dhe shtoi: «Kam diçka për të të thënë». Ajo i tha: «Fol». 15Ai i tha: «Ti e di se mbretëria më takonte mua dhe se mbarë Izraeli priste që të bëhesha unë mbret. E megjithatë m'u hoq mua e iu dha tim vëllai, sepse kështu ishte vullneti i Zotit. 16Tani kam vetëm një kërkesë. Mos ma hidh poshtë, të lutem». Ajo i tha: «Fol». 17Adonjahu i tha: «Fol, të lutem, me mbretin Solomon, se ai ta dëgjon fjalën, që të më japë për grua Abishagën, shunamiten». 18Batsheba i tha: «Mirë, do t'i flas mbretit për ty».
19Atëherë Batsheba shkoi për të folur me mbretin Solomon për Adonjahun. Mbreti u ngrit në këmbë për të pritur të ëmën, u përkul para saj dhe u ul mbi fronin e vet. Urdhëroi të vendosnin edhe një fron tjetër për nënën e mbretit dhe ajo u ul në të djathtë të tij. 20Batsheba i tha: «Kam vetëm një kërkesë të vogël, ma plotëso». Mbreti i tha: «Thuaje kërkesën, o nëna ime, se do të ta plotësoj». 21Ajo i tha: «Jepja për grua Adonjahut, vëllait tënd, Abishagën, shunamiten». 22Mbreti Solomon iu përgjigj së ëmës: «Përse ma kërkon Abishagën, shunamiten, për Adonjahun? Kërko për të edhe mbretërinë atëherë, sepse ai është vëllai im i madh dhe ka përkrahjen e priftit Abiatar dhe të Joabit, birit të Cerujahut». 23Atëherë mbreti Solomon u betua për Zotin: «Keq e më keq ma bëftë Perëndia, nëse këtë nuk e ka kërkuar vetë Adonjahu, në dëm të jetës së tij. 24Pasha Zotin, që më forcoi, që më uli mbi fronin e atit tim, Davidit, e që ia premtoi fronin shtëpisë sime, sot Adonjahu do të vritet». 25Mbreti Solomon dërgoi Benajahun, birin e Jehojadait, për të vrarë Adonjahun. Benajahu e goditi dhe Adonjahu vdiq.
26Mbreti i tha priftit Abiatar: «Shko në Anatot, tek arat e tua. Ndonëse e meriton vdekjen, nuk po të vras sot, sepse ke mbartur arkën e Zotit në praninë e atit tim, Davidit, dhe ke kaluar të gjitha vështirësitë që kaloi edhe im atë». 27Solomoni e përjashtoi Abiatarin prej priftërisë së Zotit, që të përmbushej fjala e thënë prej Zotit për shtëpinë e Eliut në Shiloh.
28Lajmi i shkoi edhe Joabit. Joabi, megjithëse nuk kishte mbajtur anën e Absalomit, kishte përkrahur Adonjahun, prandaj shkoi të strehohej në tendën e Zotit dhe u kap pas brirëve të altarit. 29Kur mbretit Solomon i thanë se Joabi ishte strehuar në tendën e Zotit dhe ndodhej tek altari, ai dërgoi Benajahun, birin e Jehojadait, për ta vrarë Joabin. 30Benajahu shkoi te tenda e Zotit e i tha Joabit: «Me urdhër të mbretit, dil jashtë!». Joabi i tha: «Jo, dua të vdes këtu». Benajahu i çoi fjalë mbretit e i tha: «Kështu tha Joabi e kështu m'u përgjigj». 31Atëherë mbreti i tha: «Bëj siç të tha: vrite në vend e varrose. Kështu do ta heqësh prej meje e prej shtëpisë së atit tim gjakun e pafajshëm që derdhi Joabi. 32Zoti le t'ia hedhë mbi kokë Joabit gjakun e Abnerit, birit të Nerit, prijësit të ushtrisë së Izraelit dhe të Amasait, birit të Jeterit, prijësit të ushtrisë së Judës. Të dy ishin njerëz të pafajshëm e më të mirë se ai, por ai i vrau me shpatë, pa dijeninë e tim eti, Davidit. 33Gjaku i tyre rëntë në amshim mbi kokën e Joabit dhe mbi kokën e pasardhësve të tij, ndërsa mbi Davidin, mbi pasardhësit, mbi shtëpinë dhe fronin e tij, qoftë gjithmonë paqja e Zotit!». 34Atëherë Benajahu, biri i Jehojadait, shkoi, e goditi dhe e vrau. Joabin e varrosën në shtëpinë e vet në shkretëtirë. 35Në vend të Joabit, mbreti caktoi si prijës të ushtrisë Benajahun, birin e Jehojadait. Në vend të Abiatarit, mbreti vuri priftin Cadok.
36Mbreti dërgoi lajmëtarë për të thirrur Shimein e i tha: «Ndërto një shtëpi në Jerusalem ku të banosh e mos dil më nga qyteti për të shkuar ndokund. 37Ditën që do të dalësh nga qyteti e do të kalosh përroin e Kidronit, dije mirë se ke për të vdekur dhe se gjaku yt do të bjerë mbi vetë kokën tënde». 38Shimei i tha mbretit: «Mirë, shërbëtori yt do të bëjë siç tha imzot mbreti». Shimei banoi për një kohë të gjatë në Jerusalem.
39Pas tre vjetësh, dy nga shërbëtorët e Shimeit u arratisën e shkuan tek Akishi, biri i Makahut, mbreti i Gatit. Shimeit i thanë se shërbëtorët e tij ishin në Gat. 40Atëherë Shimei u ngrit, shaloi gomarin e shkoi në Gat tek Akishi për të kërkuar shërbëtorët e tij dhe për t'i marrë pas. 41Solomonin e njoftuan se Shimei kishte shkuar nga Jerusalemi në Gat e ishte kthyer. 42Mbreti dërgoi disa njerëz për ta thirrur Shimein e i tha: «A nuk të vura të betoheshe për Zotin dhe a nuk të paralajmërova e të bëra me dije se ditën që do të shkoje ndokund, kishe për të vdekur, e ti më the “mirë”? 43Përse, pra, nuk e mbajte betimin që i bëre Zotit dhe urdhrin që të dhashë?». 44Pastaj mbreti i tha Shimeit: «Ti i di e i mban mend mirë gjithë të këqijat që i ke bërë Davidit, atit tim. Tani Zoti do të ta kthejë të keqen që ke bërë. 45Mbreti Solomon ka për të qenë i bekuar dhe froni i Davidit do të jetë i palëkundur në amshim para Zotit». 46Mandej mbreti i dha urdhër Benajahut, birit të Jehojadait, që ta vriste Shimein. Benajahu e goditi dhe Shimei vdiq.
Kështu, mbretërimi i Solomonit u bë i fortë.
Aktualisht i përzgjedhur:
1 Mbretërve 2: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020