Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 19:9-18

1 Mbretërve 19:9-18 AL1

Kur mbërriti në Horeb, Elia hyri në shpellë dhe atje kaloi natën. Atëherë fjala e ZOTIT iu drejtua e i tha: «Ç'bën këtu, Eli?». Elia u përgjigj: «Të jam përkushtuar me shumë zell, o ZOT, Perëndi i ushtrive, por izraelitët e kanë shkelur besëlidhjen tënde, kanë shkatërruar altarët e tu dhe i kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam ngelur vetëm unë dhe po kërkojnë të ma marrin jetën edhe mua». Zoti i tha: «Dil nga shpella e qëndro në mal në prani të ZOTIT». E, ja, po kalonte ZOTI. Para se të kalonte ZOTI, fryu një erë e furishme dhe e fortë që çante malin e thërrmonte shkëmbinjtë, por ZOTI nuk ishte në erë. Pas erës, ra tërmet, por ZOTI nuk ishte as në tërmet. Pas tërmetit, shpërtheu zjarri, por ZOTI nuk ishte as në zjarr. Pas zjarrit, u dëgjua fërfërima e një puhize të lehtë. Kur dëgjoi fërfërimën, Elia mbuloi fytyrën me gunë, doli jashtë dhe qëndroi te hyrja e shpellës. Papritur, një zë i tha: «Ç'bën këtu, Eli?». Elia u përgjigj: «Të jam përkushtuar me shumë zell, o ZOT, Perëndi i ushtrive, por izraelitët e kanë shkelur besëlidhjen tënde, kanë shkatërruar altarët e tu dhe i kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam ngelur vetëm unë dhe po kërkojnë të ma marrin jetën edhe mua». ZOTI i tha: «Ngrihu, merre përsëri rrugën e kthimit nëpër shkretëtirë e shko në Damask. Atje do të vajosësh Hazaelin si mbret të Aramit. Jehun, birin e Nimshit, vajose si mbret të Izraelit, ndërsa Eliseun, birin e Shafatit nga Abel Meholahu, vajose si profet në vendin tënd. Kush do t'i shpëtojë shpatës së Hazaelit do të vritet nga Jehu dhe kush do t'i shpëtojë shpatës së Jehut do të vritet nga Eliseu. Në Izrael do të lë gjallë shtatë mijë vetë, ata, gjunjët e të cilëve nuk u përkulën para Baalit dhe goja e të cilëve nuk e puthi».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë