Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 16

16
1Atëherë Zoti i foli Jehut, birit të Hananiut, për t'i thënë Bashait këto fjalë: 2«Unë të ngrita nga pluhuri dhe të bëra sundues të popullit tim, Izraelit. Por ti u solle njëlloj si Jeroboami, e shtyve popullin tim, Izraelin, në mëkat dhe ndeze kështu zemërimin tim për mëkatet e tyre. 3Prandaj do të të shfaros ty dhe shtëpinë tënde e do të veproj me të si veprova me shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nebatit. 4Njerëzit e shtëpisë së Bashait që do të vdesin në qytet do t'i hanë qentë dhe shpendët e qiellit do të hanë ata që do të vdesin në arë».
5Bëmat e tjera të Bashait, veprat dhe trimëritë e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. 6Bashai u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Tircah. Pas tij mbretëroi i biri, Elahu. 7Zoti kishte folur kundër Bashait e shtëpisë së tij përmes profetit Jeh, birit të Hananiut, për shkak të ligësisë që kishte bërë Bashai në sytë e Zotit, duke ndezur zemërimin e Zotit me veprimet e tij, njëlloj si shtëpia e Jeroboamit, dhe për shkak të shfarosjes së familjes së Jeroboamit.
Mbretërimi i Elahut në Izrael
8Në vitin e njëzet e gjashtë të mbretërimit të Asait në Judë, Elahu, biri i Bashait, u bë mbreti i Izraelit dhe mbretëroi në Tircah për dy vjet. 9Zimriu, shërbëtori i Elahut dhe kreu ushtarak i gjysmës së karrocave të luftës, u ngrit kundër mbretit. Një herë, kur mbreti Elah ndodhej në Tircah dhe kishte pirë sa ishte dehur, në shtëpinë e Arcait, mbikëqyrësit të pallatit mbretëror të Tircahut, 10Zimriu shkoi dhe e goditi për vdekje në vitin e njëzet e shtatë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës. Pas Elahut mbret u bë Zimriu.
11Me t'u bërë mbret e me të hipur në fron, Zimriu shfarosi të gjithë familjen e Bashait dhe nuk la gjallë asnjë nga meshkujt, të afërmit apo miqtë e familjes. 12Zimriu e shfarosi krejt shtëpinë e Bashait, sipas fjalës që kishte thënë Zoti për të përmes profetit Jeh. 13Shkak ishin mëkatet e Bashait dhe birit të tij, Elahut, të cilët jo vetëm mëkatuan vetë, por shtynë në mëkat edhe Izraelin, duke ndezur zemërimin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, me idhujt e tyre të kotë. 14Bëmat e tjera të Elahut dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.
Mbretërimi i Zimriut në Izrael
15Në vitin e njëzet e shtatë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës, Zimriu u bë mbret i Izraelit dhe mbretëroi për shtatë ditë në Tircah. Asokohe, ushtria kishte rrethuar Gibetonin, qytetin filistin. 16Kur dëgjuan se Zimriu kishte dalë kundër mbretit dhe e kishte vrarë, ushtarët e shpallën Omriun, kreun e ushtrisë, mbret të Izraelit që atë ditë në fushim. 17Atëherë Omriu dhe të gjithë izraelitët që ishin me të, marshuan nga Gibetoni në Tircah dhe e rrethuan. 18Kur pa se qyteti po pushtohej, Zimriu hyri në pallatin mbretëror e i vuri zjarrin, duke u djegur edhe vetë brenda. Ai vdiq 19për shkak të mëkateve dhe të ligësisë që kishte bërë në sytë e Zotit, duke u sjellë si Jeroboami, i cili mëkatoi vetë dhe shtyu edhe Izraelin në mëkat. 20Bëmat e tjera të Zimriut dhe kryengritja që bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.
Mbretërimi i Omriut në Izrael
21Pas këtyre ndodhive, populli i Izraelit ishte i ndarë më dysh. Gjysma e popullit donte për mbret Tibniun, birin e Ginatit, ndërsa gjysma tjetër donte Omriun. 22Pjesa e popullit që përkrahte Omriun pati epërsi ndaj atyre që donin Tibniun, birin e Ginatit. Tibniu vdiq e mbret u bë Omriu. 23Në vitin e tridhjetëenjëtë të mbretërimit të Asait në Judë, Omriu u bë mbreti i Izraelit. Ai mbretëroi dymbëdhjetë vjet në Izrael. Për gjashtë vjet mbretëroi nga Tircahu. 24Më pas Omriu bleu prej Shemerit malin e Samarisë për gjashtë mijë monedha argjendi e mbi të ndërtoi një qytet, të cilin e quajti Samari, sipas emrit të Shemerit, të zotit të malit të Samarisë.
25Omriu bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe u soll edhe më keq se të gjithë paraardhësit e tij. 26Ai u soll njëlloj si Jeroboami, biri i Nebatit, bëri të njëjtat mëkate si ai, e shtyu Izraelin në mëkat, e me idhujt e tyre të kotë ndezi zemërimin e Zotit, Perëndisë së Izraelit. 27Bëmat e tjera të Omriut, veprat dhe trimëritë e tij gjenden të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. 28Omriu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Samari. Pas tij mbretëroi i biri, Ahabi.
Mbretërimi i Ahabit në Izrael
29Në vitin e tridhjetë e tetë të mbretërimit të Asait në Judë, Ahabi, biri i Omriut, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi mbi Izraelin nga Samaria për njëzet e dy vjet. 30Ahabi, biri i Omriut, bëri çka është keq në sytë e Zotit më shumë se të gjithë paraardhësit e tij. 31Si të mos mjaftonte sjellja e tij mëkatare, si Jeroboami, biri i Nebatit, Ahabi u martua me Izebelën, bijën e Etbaalit, mbretit të sidonasve, dhe filloi t'i shërbente Baalit e të përkulej para tij. 32Ai i bëri një altar Baalit brenda tempullit që i kishte ndërtuar në Samari 33dhe ndërtoi edhe një shtyllë të Asherasë. Sjellja e tij e ndezi zemërimin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, shumë më tepër se të gjithë paraardhësit e tij. 34Gjatë sundimit të Ahabit, Hieli nga Beteli rindërtoi Jerikonë. Ai i hodhi themelet mbi Abiramin, djalin e tij të parëlindur, dhe i ngriti portat mbi birin e tij, Segubin, ashtu siç kishte thënë Zoti përmes Jozuehut, birit të Nunit.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Mbretërve 16: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë