Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 15:15-25

1 Mbretërve 15:15-25 AL1

Asai solli në tempullin e ZOTIT sendet dhe enët e shenjta prej argjendi e prej ari që ishin kushtuar nga i ati e nga vetë ai. Mes Asait dhe Bashait, mbretit të Izraelit, pati luftë gjatë gjithë jetës së tyre. Bashai, mbreti i Izraelit, u nis për të sulmuar Judën dhe fortifikoi Ramahun, për të penguar lëvizjen e kujtdo që shkonte e vinte nga Asai, mbreti i Judës. Atëherë Asai mori të gjithë argjendin dhe arin, që kishte mbetur në thesarin e tempullit të ZOTIT dhe në thesarin e pallatit mbretëror, dhe ia dha shërbëtorëve të tij, për t'ia çuar Ben Hadadit, birit të Tabrimonit, të birit të Hezjonit, mbretit të Aramit, i cili banonte në Damask, e për t'i thënë: «Le të bëjmë një besëlidhje mes nesh, ashtu siç kishin bërë im atë dhe yt atë, dhe për këtë të kam dërguar si dhuratë argjend dhe ar. Prishe, pra, besëlidhjen që ke bërë me Bashain, mbretin e Izraelit, që të tërhiqet nga trojet e mia». Ben Hadadi ia dëgjoi fjalën mbretit Asa dhe dërgoi krerët e ushtrisë së tij për të sulmuar qytetet e Izraelit. Ata pushtuan Ijonin, Danin, Abel Bet Makahun, mbarë krahinën e Kineretit dhe gjithë trojet e Neftaliut. Sapo mori vesh lajmin, Bashai e ndali ndërtimin e Ramahut dhe u vendos në Tircah. Atëherë mbreti Asa thirri të gjithë banorët e Judës pa përjashtim, për të marrë nga Ramahu gurët dhe drurët që kishte përdorur Bashai dhe me to fortifikoi Gebën e Benjaminit dhe Micpahun. Të gjitha bëmat e tjera të Asait, të gjitha veprat dhe qytetet e ndërtuara prej tij, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Në pleqëri Asai vuajti nga një sëmundje e këmbëve. Ai u preh me paraardhësit e tij dhe u varros me ta në qytetin e Davidit, atit të tij. Pas tij mbretëroi i biri, Joshafati. Në vitin e dytë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës, Nadabi, biri i Jeroboamit, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi për dy vjet në Izrael.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë