Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 14:1-18

1 Mbretërve 14:1-18 AL1

Asokohe Abijahu, biri i Jeroboamit, ishte sëmurë. Jeroboami i tha së shoqes: «Ngrihu, të lutem, ndërro veshje, që mos të të njohin se je gruaja e Jeroboamit, e shko në Shiloh. Atje jeton profeti Ahijah, ai që më tha se do të bëhesha mbreti i këtij populli. Merr me vete dhjetë bukë, disa kuleç të ëmbël dhe një qyp me mjaltë e shko ta takosh. Ai do të të thotë se ç'do të ndodhë me djalin». E ashtu bëri gruaja e Jeroboamit. Ajo u ngrit e shkoi në Shiloh, në shtëpinë e Ahijahut. Ahijahu nuk shihte më, sepse i ishin dobësuar sytë nga pleqëria e thellë. Por ZOTI i tha Ahijahut: «Ja, gruaja e Jeroboamit po vjen për t'u këshilluar me ty për birin e saj të sëmurë. Thuaji kështu e ashtu. Kur të vijë, ajo do të shtiret si një grua tjetër». Kur Ahijahu dëgjoi hapat e gruas së Jeroboamit tek po hynte në derë, i tha: «Hyr, o gruaja e Jeroboamit! Përse hiqesh si një grua tjetër? Kam një lajm të rëndë për ty. Shko e thuaji Jeroboamit: kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Unë të ngrita mbi të tjerët e të bëra sundimtar mbi popullin tim, Izraelin. E ndava mbretërinë nga shtëpia e Davidit e ta dhashë ty, por ti nuk ke qenë si shërbëtori im, Davidi, i cili i mbante urdhërimet e mia e më ndiqte me gjithë zemër. Davidi bënte çka ishte e drejtë në sytë e mi. Ti ke bërë më shumë ligësi se të gjithë paraardhësit e tu. Bëre perëndi të tjerë e derdhe idhuj prej metali për veten tënde, më ktheve shpinën dhe ndeze zemërimin tim. Prandaj unë do të sjell fatkeqësi mbi shtëpinë e Jeroboamit e do t'i shfaros të gjithë meshkujt e saj në Izrael, qofshin këta skllevër apo të lirë. Do ta fshij shtëpinë e Jeroboamit siç fshihet plehu, derisa të shfaroset krejt. Njerëzit e shtëpisë së Jeroboamit që do të vdesin në qytet do t'i hanë qentë dhe shpendët e qiellit do të hanë ata që do të vdesin nëpër ara, sepse kështu foli ZOTI”. Prandaj ngrihu e shko në shtëpi. Sapo këmbët e tua të shkelin pragun e qytetit, djali do të vdesë. Mbarë Izraeli do ta qajë e do ta varrosë. Nga shtëpia e Jeroboamit vetëm ai do të shtihet në varr, sepse ai është i vetmi prej asaj shtëpie, tek i cili ZOTI, Perëndia i Izraelit, pa diçka të mirë. ZOTI do të nxjerrë një mbret të vetin për Izraelin, i cili do ta shfarosë shtëpinë e Jeroboamit, duke filluar që sot. Ç'po them kështu? Duke filluar që tani. ZOTI do ta dërrmojë Izraelin si një kallam që lëkundet në ujë dhe do ta zhbijë nga kjo tokë e mirë që u dha paraardhësve të tyre. ZOTI do t'i shpërndajë përtej lumit të Eufratit, sepse ata bënë shtylla të Asherasë dhe ndezën zemërimin e tij. Ai do ta braktisë Izraelin për shkak të mëkateve të Jeroboamit, i cili jo vetëm që mëkatoi vetë, por u bë shkak mëkati edhe për Izraelin». Gruaja e Jeroboamit u ngrit për të ikur dhe shkoi në Tircah. Sapo shkeli pragun e shtëpisë, djaloshi vdiq. I gjithë Izraeli vajtoi për të dhe e varrosi, ashtu siç kishte thënë ZOTI përmes shërbëtorit të tij, profetit Ahijah.