Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 12:21-33

1 Mbretërve 12:21-33 AL1

Kur mbërriti në Jerusalem, Rehoboami mblodhi njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur nga fisi i Judës dhe nga fisi i Benjaminit, për të sulmuar mbretërinë e Izraelit dhe për t'ia kthyer mbretërinë Rehoboamit, birit të Solomonit. Atëherë fjala e Perëndisë iu drejtua Shemajahut, njeriut të Perëndisë, e i tha: «Thuaji Rehoboamit, birit të Solomonit dhe mbretit të Judës, të gjithë fisit të Judës dhe të Benjaminit, si edhe mbarë popullit, se kështu thotë ZOTI: “Mos dilni për të luftuar kundër vëllezërve tuaj, izraelitëve. Kthehuni nëpër shtëpitë tuaja, sepse kjo gjë vjen nga unë”». Ata e dëgjuan fjalën e ZOTIT dhe u kthyen pas, siç kishte thënë ZOTI. Jeroboami fortifikoi Shekemin në malësinë e Efraimit dhe vendosi të banojë atje. Mandej doli prej andej dhe fortifikoi edhe Penuelin. Jeroboami mendoi me vete: «Siç janë gjërat tani, mbretëria ka për t'iu kthyer shtëpisë së Davidit. Nëse ky popull shkon në Jerusalem për të kushtuar fli në tempullin e ZOTIT, zemra e tyre do të kthehet te zotëria i tyre, Rehoboami, mbreti i Judës. Mua kanë për të më vrarë e vetë kanë për t'u kthyer te Rehoboami, mbreti i Judës». Pasi u këshillua, mbreti bëri dy viça prej ari e i tha popullit: «Mos shkoni më në Jerusalem. Ja ku janë perënditë e tu, o Izrael, perënditë që të nxorën nga toka e Egjiptit». Njërin e vuri në Betel e tjetrin në Dan. Kjo e shtyu popullin të mëkatojë, sepse ata shkuan deri në Dan, për të rënë përmbys para një viçi. Jeroboami ndërtoi edhe një tempull në vend të lartë dhe caktoi priftërinj, njerëz nga mbarë populli, që nuk ishin pasardhës të Levit. Ai caktoi edhe një të kremte në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të tetë, që përkonte me festën që kremtohej në Judë, dhe vetë ai kushtoi fli mbi altar. Kështu veproi Jeroboami në Betel dhe u kushtoi fli viçave që kishte bërë, si edhe caktoi priftërinj për faltoret që kishte ndërtuar në vende të larta. Ai ofroi kusht te altari që kishte bërë në Betel, në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të tetë, ditë që e kishte ndarë me mendje të vet. Ai e caktoi si të kremte për izraelitët dhe kushtoi temjan mbi altar.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë