Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Gjonit 4:4-16

1 Gjonit 4:4-16 AL1

Por ju, bijtë e mi, jeni nga Perëndia dhe i keni mundur ata, sepse ai që është në ju është më i madh se ai që është në botë. Ata janë nga bota, prandaj flasin me gjuhën e botës dhe bota i dëgjon. Ndërsa ne jemi nga Perëndia. Ai që njeh Perëndinë, na dëgjon. Ai që nuk është nga Perëndia, nuk na dëgjon. Prej kësaj do ta dallojmë Shpirtin e së vërtetës nga shpirti i mashtrimit. Fort të dashur, le ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia. Kush ka dashuri, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë. Ai që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri. Ja si është shfaqur dashuria e Perëndisë në ne: Ai dërgoi në botë Birin e tij të vetëmlindur që ne të jetojmë nëpërmjet tij. Këtu qëndron dashuria: nuk e deshëm ne Perëndinë, por na deshi ai dhe dërgoi Birin e tij si flijim për të shlyer mëkatet tona. Fort të dashur, meqenëse Perëndia na deshi në këtë mënyrë, atëherë edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin. Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Po ta duam njëri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne. Ja si e dimë se ne qëndrojmë në të dhe ai qëndron në ne: ai na ka dhënë nga Shpirti i tij. Ne kemi parë e dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin e tij si shpëtimtarin e botës. Nëse dikush rrëfen se Jezui është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron në të dhe ai në Perëndinë. Ne e kemi njohur dhe i kemi besuar dashurisë që Perëndia ka për ne. Perëndia është dashuri. Ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë