Nëse predikojmë se Krishti u ngjall prej të vdekurve, si mund të thonë disa prej jush se të vdekurit nuk do të ngjallen? Nëse të vdekurit nuk do të ngjallen, atëherë nuk është ngjallur as Krishti. Nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë edhe predikimi ynë është i kotë, edhe besimi juaj është i kotë. Kështu, qenkemi dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmojmë kundër tij dhe themi se ka ngjallur Krishtin, të cilin nuk e paska ngjallur, po të jetë se të vdekurit nuk u ngjallkan.
Nëse nuk ngjallen të vdekurit, atëherë nuk është ngjallur as Krishti. Nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë besimi juaj është i kotë dhe ju jeni ende në mëkatet tuaja. Atëherë kanë humbur edhe ata që kanë vdekur e kanë besuar në Krishtin. Nëse shpresojmë në Krishtin vetëm për këtë jetë, atëherë jemi njerëzit më të mjerë.
Por tani Krishti është ngjallur prej të vdekurve dhe u bë risia e ngjalljes së të vdekurve. Ashtu siç erdhi vdekja nëpërmjet një njeriu, ashtu erdhi edhe ngjallja e të vdekurve nëpërmjet një njeriu. Ashtu siç vdesin të gjithë njerëzit për shkak të lidhjes me Adamin, ashtu do të marrin jetë të gjithë për shkak të lidhjes me Krishtin. Secili sipas radhës: në fillim Krishti dhe pastaj, kur ai të kthehet, të gjithë ata që janë të tijët. Pastaj do të vijë fundi, kur Krishti t'ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit, pasi të ketë shkatërruar çdo sundim, pushtet e fuqi.
Ai duhet të mbretërojë derisa t'i nënshtrojë nën këmbë të gjithë armiqtë. Armiku i fundit që do të shkatërrohet do të jetë vdekja. Se gjithçka e nënshtroi nën këmbët e tij. Kur u tha «iu nënshtrua gjithçka», do të thotë gjithçka, përveç Perëndisë që bëri që Krishtit t'i nënshtrohet gjithçka. Kur gjithçka t'i jetë nënshtruar Krishtit, atëherë edhe vetë Biri do t'i nënshtrohet Perëndisë që bëri t'i nënshtrohet atij gjithçka, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë.
Nëse nuk është kështu, përse disa pagëzohen për të vdekurit? Nëse qenka e vërtetë se të vdekurit nuk do të ngjallen, atëherë përse pagëzohen disa për ta? Përse e vëmë edhe ne veten në rrezik në çdo çast? Unë ndeshem me vdekjen çdo ditë, o vëllezër, dhe këtë e them nga krenaria që kam për ju, falë Krishtit Jezu, Zotit tonë. Nëse në Efes qenkam ndeshur me bishat për arsye njerëzore, ç'dobi më solli kjo? Nëse të vdekurit nuk ngjallen, atëherë:
le të hamë e le të pimë,
se nesër do të vdesim.
Mos u mashtroni:
shoqëritë e këqija
prishin doket e mira.
Ejani në vete e mos mëkatoni, se disa prej jush nuk e njohin Perëndinë dhe këtë e them për turpin tuaj.