Vëllezër, lidhur me dhuntitë e Shpirtit të shenjtë, nuk dua të jeni të paditur. Ju e dini se, kur ishit prej kombeve, të mashtruar, tërhiqeshit prej idhujve të pagojë. Prandaj dua ta dini se asnjë nuk mund të flasë i udhëhequr nga Shpirti i Perëndisë e të thotë: «Mallkuar qoftë Jezui!» dhe asnjë nuk mund të thotë: «Zoti Jezu», nëse nuk është i udhëhequr nga Shpirti i shenjtë.
Ka dhunti të ndryshme, por është i njëjti Shpirt. Ka edhe shërbesa të ndryshme, por është i njëjti Zot. Ka edhe larmi veprash, por është i njëjti Perëndi që bën gjithçka në të gjithë.
Secilit i shfaqet Shpirti për të mirën e të gjithëve. Dikujt Shpirti i jep dhuntinë për të folur me urti, një tjetri i njëjti Shpirt i jep dhuntinë për të folur me dituri. Dikujt i njëjti Shpirt i jep besim, ndërsa një tjetri dhuntinë për të shëruar, dikujt fuqinë për të bërë mrekulli, një tjetri për të profetizuar, një tjetri për të dalluar shpirtrat, një tjetri i jep larmi gjuhësh, ndërsa një tjetri shpjegimin e gjuhëve. Të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Shpirt, duke i dhënë secilit dhunti të veçantë, sipas vullnetit të tij.
Ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët e trupit, megjithëse janë shumë, përbëjnë një trup të vetëm, ashtu është edhe Krishti. Edhe ne, qofshim judenj apo helenë, skllevër apo të lirë, u pagëzuam me të njëjtin Shpirt për t'u bërë një trup i vetëm dhe kemi pirë të gjithë nga i njëjti Shpirt.
Trupi nuk ka një gjymtyrë, por shumë. Nëse këmba do të thoshte: «Ngaqë nuk jam dorë, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit? E nëse veshi do të thoshte: «Ngaqë nuk jam sy, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit? Nëse i gjithë trupi do të ishte sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte i gjithi dëgjim, ku do të ishte nuhatja? Por Perëndia i vuri gjymtyrët në trup një nga një, ashtu siç deshi.
Nëse të gjitha do të ishin një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi? Por tani ka shumë gjymtyrë dhe një trup. Syri nuk mund t'i thotë dorës: «Nuk ta kam nevojën» e as koka nuk mund t'u thotë këmbëve: «Nuk jua kam nevojën». Përkundrazi, ato gjymtyrë të trupit që duken më të papërfillshmet, janë më të nevojshmet. Ne kujdesemi më shumë për gjymtyrët që i vlerësojmë më pak dhe përpiqemi t'i zbukurojmë sa më shumë gjymtyrët më të pahijshme, gjë që nuk e kanë të nevojshme gjymtyrët e hijshme.
Por Perëndia e ndërtoi trupin duke u dhënë më shumë nderim gjymtyrëve më të papërfillshme, që të mos ketë përçarje në trup, por që gjymtyrët të kujdesen për njëra-tjetrën. Nëse njëra gjymtyrë vuan, atëherë vuajnë të gjitha me të. Nëse njëra gjymtyrë nderohet, të gjitha gëzohen me të.
Ju jeni trupi i Krishtit dhe secili prej jush është gjymtyrë e tij.