Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Korintasve 11:1-16

1 Korintasve 11:1-16 AL1

Më shkërbeni mua, sikurse unë shkërbej Krishtin. Ju përgëzoj, se më kujtoni në çdo rast dhe i ruani traditat ashtu siç jua kam dhënë. Por dua ta dini se kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri dhe kreu i Krishtit është Perëndia. Çdo burrë që lutet apo profetizon me kokë mbuluar, turpëron kryet e vet. Çdo grua që lutet apo profetizon me kokë zbuluar, turpëron kryet e vet, sepse është njësoj si të kishte rruar kokën. Nëse gruaja nuk mbulon kokën, atëherë le të qethet. Por, nëse për të është turp të qethet a të rruajë kokën, atëherë le ta mbulojë kokën. Burri nuk duhet ta mbulojë kokën, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, ndërsa gruaja është lavdia e burrit. Nuk u krijua burri nga gruaja, por gruaja nga burri. Burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin. Prandaj, për shkak të engjëjve, gruaja duhet të mbajë mbi kokë një shenjë varësie. Megjithatë në jetën tonë me Zotin as burri nuk është i pavarur nga gruaja dhe as gruaja nga burri. Sikurse gruaja u krijua nga burri, ashtu edhe burri lindet nëpërmjet gruas dhe gjithçka vjen nga Perëndia. Gjykoni vetë: a i ka hije gruas t'i lutet Perëndisë pa mbuluar kokën? A nuk na mëson vetë natyra se për burrin është çnderim nëse i mban flokët të gjatë, ndërsa për gruan është nder? Flokët i janë dhënë asaj si mbulesë. Por, nëse ndokush mendon ndryshe për këtë çështje, duhet ta dijë se një zakon të tillë nuk e kemi as ne, as kishat e Perëndisë.