Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Kronikave 19

19
Përplasja me amonitët
1Pas këtyre ngjarjeve, Nahashi, mbreti i amonitëve, vdiq dhe në vend të tij mbretëroi i biri. 2Davidi tha: «Do të tregohem i mirë me Hanunin, birin e Nahashit, sepse i ati i tij u soll mirë me mua». Pastaj Davidi dërgoi disa përfaqësues për ta ngushëlluar për të atin dhe shërbëtorët e Davidit shkuan në dheun e amonitëve, te Hanuni, për ta ngushëlluar. 3Atëherë prijësit e amonitëve i thanë Hanunit: «Mos vallë Davidi t'i dërgoi ngushëlluesit për të nderuar atin tënd? Apo këta shërbëtorë të tij kanë ardhur te ti për të bërë hetime, për të shkaktuar përmbysje e për të përgjuar vendin?». 4Atëherë Hanuni mori shërbëtorët e Davidit, i rruajti, ua shqeu rrobat më dysh deri te vithet dhe i ktheu nga kishin ardhur. 5Kur i treguan Davidit për ta, ai dërgoi njerëz për t'i takuar, sepse ndiheshin shumë të poshtëruar. Mbreti u tha: «Rrini në Jeriko derisa t'ju dalë mjekra, pastaj kthehuni».
6Kur amonitët e panë se ishin bërë të urryer për Davidin, Hanuni dhe amonitët dërguan tridhjetë tonë argjend për të blerë karroca e kuaj nga Mesopotamia, nga Aram Makahu e nga Cobahu. 7Paguan për tridhjetë e dy mijë karroca dhe për mbretin e Makahut me trupat e veta. Këta erdhën e fushuan kundruall Medebës. Amonitët u mblodhën nga qytetet e tyre e dolën në luftë. 8Kur e mori vesh, Davidi dërgoi Joabin e mbarë ushtrinë e trimave. 9Amonitët dolën e u rreshtuan për betejë përballë qytetit, ndërsa mbretërit, që kishin ardhur, qëndruan veçmas në fushë.
Fitorja e Joabit
10Joabi e vuri re se ishte i rrethuar në fushë betejë nga para e nga pas, prandaj zgjodhi disa prej burrave më të spikatur në Izrael dhe i rreshtoi kundër arameasve. 11Pjesën tjetër të ushtrisë ia la Abishait, vëllait të vet. Këta u rreshtuan kundër amonitëve. 12Pastaj tha: «Nëse arameasit janë më të fortë se unë, ti do të vish për të më shpëtuar, por nëse amonitët do të jenë më të fortë se ti, unë do të të shpëtoj. 13Bëhu i fortë! Të tregohemi të fortë për popullin tonë e për qytetet e Perëndisë tonë. Zoti e bëftë si t'i duket mirë!». 14Atëherë Joabi e populli që ishte me të iu turr në betejë arameasve, të cilët ua mbathën këmbëve. 15Kur amonitët panë se arameasit kishin ikur, ia mbathën edhe ata prej Abishait, vëllait të Joabit, e u kthyen në qytet. Atëherë Joabi shkoi në Jerusalem.
16Kur arameasit panë se humbën përballë Izraelit, dërguan lajmëtarë, për të thirrur arameasit që ishin përtej Eufratit. U printe Shofahu, kreu i ushtrisë së Hadadezerit. 17Kur i treguan Davidit, ai mblodhi mbarë Izraelin, kapërceu Jordanin, mbërriti tek ata e u rreshtua kundër tyre. Davidi u doli në betejë arameasve dhe ata u ndeshën me të. 18Por arameasit morën arratinë përballë Izraelit. Davidi vrau shtatë mijë kalorës e dyzet mijë këmbësorë arameas. Vrau edhe Shofahun, kreun e ushtrisë. 19Kur shërbëtorët e Hadadezerit panë se po humbnin kundër Izraelit, bënë paqe me Davidin e iu nënshtruan. Arameasit nuk synuan më të ndihmonin amonitët.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Kronikave 19: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë