1 Kronikave 16
16
Arka në tendë
1E sollën arkën e Perëndisë dhe e vendosën në mes të tendës që kishte ngulur për të Davidi. Pastaj kushtuan fli shkrumbimi e paqtimi para Perëndisë. 2Kur Davidi e kreu kushtimin e flisë së shkrumbimit e të paqtimit, e bekoi popullin në emër të Zotit 3dhe u shpërndau të gjithë izraelitëve, burra e gra, nga një rrotull buke, nga një kulaç hurmash e nga një kulaç rrushi të thatë.
4Pastaj disa nga levitët i caktoi të shërbenin pranë arkës së Zotit, që të përkujtonin, të falënderonin e të lëvdonin Zotin, Perëndinë e Izraelit. 5Kryetari ishte Asafi e pas tij vinin Zakaria, Jejeli, Shemiramoti, Jehieli, Matitjahu, Eliabi, Benajahu, Obed Edomi e Jejeli, të cilët u binin lirave e harpave, ndërsa Asafi u binte cimbaleve. 6Priftërinjtë Benajah e Jahaziel u binin borive përherë para arkës së besëlidhjes së Perëndisë. 7Atë ditë Davidi caktoi së pari që Asafi e vëllezërit e tij t'i thurnin Zotit këto falënderime:
Himni i Davidit
8Përlëvdoni Zotin, thirreni emrin e tij,
shpallni mes popujve veprat e tij.
9Këndojini atij e thurini lavde,
kumtoni të gjitha mrekullitë e tij.
10Krenohuni me emrin e tij të shenjtë,
e zemra i ngazëlleftë kujtdo që kërkon Zotin.
11Kërkojeni Zotin e fuqinë e tij,
kërkoni përherë fytyrën e tij.
12Kujtoni mrekullitë që bëri,
çuditë e gjykimet e gojës së tij,
13o pasardhës të Izraelit, shërbëtorit të tij,
bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij.
14Ai është Zoti, Perëndia ynë,
mbi mbarë dheun vendimet e tij.
15Kujtojeni përherë besëlidhjen e tij,
fjalën që urdhëroi për një mijë brezni,
16besëlidhjen që bëri me Abrahamin,
premtimin që i dha Isakut.
17Ia caktoi si rregull Jakobit,
Izraelit si besëlidhje përjetë,
18kur tha: «Ty do të ta jap tokën e Kanaanit
si pjesë të trashëgimisë suaj»,
19kur ishit të hequr në numër,
të paktë e ardhacakë,
20tek endeshin nga një komb te tjetri,
nga një mbretëri te një tjetër popull.
21Nuk lejoi t'i shtypte askush,
mbretërit për hir të tyre i qortoi:
22«Mos m'i prekni të vajosurit,
profetët e mi mos i lëndoni».
23Le t'i këndojë Zotit dheu mbarë,
shpëtimin e tij përditë kumtoni.
24Ndër kombe rrëfejeni lavdinë e tij,
mrekullitë e tij ndër popuj mbarë,
25se i madh është Zoti e fort i lavdërueshëm,
më i tmerrshëm se të gjithë perënditë.
26Se mbarë perënditë e popujve janë të kotë,
por Zoti bëri qiejt.
27Shkëlqim e madhështi para tij,
në vendin e tij fuqi e hare.
28Jepini Zotit, o familjet e popujve,
jepini Zotit lavdi e fuqi,
29jepini Zotit lavdinë e emrit të tij!
Kushtojini fli e dilni para tij,
adhuroni Zotin veshur me shkëlqim.
30Le të dridhet para tij mbarë toka,
se botës i vë themel
e ajo nuk do të trandet.
31Le të ngazëllejë qielli e të gëzojë toka,
le të thuhet ndër popuj: «Zoti mbretëron».
32Le të ushtojë deti me gjithçka në të,
e fusha me gjithçka në të le të galdojë.
33Atëherë do të brohorasin pemët e pyllit para Zotit
që vjen për ta gjykuar tokën.
34Përlëvdoni Zotin, se është i mirë,
se mirësia e tij mbetet përjetë.
35Thoni: «Shpëtona, o Perëndi i shpëtimit tonë,
mblidhna e çlirona nga kombet,
që ta falënderojmë emrin tënd të shenjtë,
të mburremi duke të të lavdëruar.
36Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit,
nga mot e përgjithmonë!».
Mbarë populli u përgjigj: «Amen» e «Lavdi Zotit».
Adhurimi para arkës
37Davidi la Asafin e vëllezërit e tij aty, para arkës së besëlidhjes së Zotit, që të shërbenin gjithnjë para arkës, sipas rendit të përditshëm 38me Obed Edomin dhe gjashtëdhjetë e tetë vëllezërit e tij. Obed Edomin, birin e Jedutunit, e Hosahun, i caktoi derëtarë. 39Priftin Cadok e vëllezërit e tij priftërinj i la para tendës së Zotit, në rrafshnaltën e Gibeonit, 40që t'i kushtonin Zotit fli shkrumbimi në altarin e shkrumbimit pa pushim, mëngjes e mbrëmje, siç është shkruar në ligjin që Zoti i dha Izraelit. 41Me ta ishin Hemani e Jedutuni, si edhe të tjerët, që ishin zgjedhur e caktuar me emër për të falënderuar Zotin, se i amshuar është përdëllimi i tij. 42Hemani e Jedutuni kishin bori e cimbale për t'u rënë, si dhe vegla për muzikë hyjnore. Bijtë e Jedutunit ishin caktuar te dera.
43Atëherë mbarë populli u nis, secili në shtëpinë e vet, ndërsa Davidi u kthye për të bekuar familjen e vet.
Aktualisht i përzgjedhur:
1 Kronikave 16: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020