Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Kronikave 12:23-40

1 Kronikave 12:23-40 AL1

Ditë për ditë vinin te Davidi për ta ndihmuar, derisa fushimi u bë i madh, si fushimi i Perëndisë. Këta janë numrat e krerëve të armatosur, që erdhën te Davidi në Hebron, për t'ia dhënë atij mbretërinë e Saulit, siç e kishte thënë ZOTI. Bijtë e Judës, mbartës të shqytit e të heshtës, ishin gjashtë mijë e tetëqind të armatosur; prej bijve të Simeonit, trima të fortë për luftë, shtatë mijë e njëqind; prej bijve të Levit, katër mijë e gjashtëqind; pastaj prijësi Jehojada prej shtëpisë së Aronit me tre mijë e shtatëqind; Cadoku, djalosh trim e i fortë, me njëzet e dy prijës prej fisit të vet; prej bijve të Benjaminit, vëllezër të Saulit, tre mijë, sepse shumica e tyre kishte mbetur në shërbim të Saulit; prej bijve të Efraimit, njëzet mijë e tetëqind trima të fortë, burra në zë për fiset e tyre; nga gjysma e fisit të Manaseut, tetëmbëdhjetë mijë, të cilët u caktuan me emër, që të vinin për ta shpallur Davidin mbret; prej bijve të Isaharit, që i njihnin mirë kohërat dhe e dinin çfarë duhej të bënte Izraeli, dyqind krerë me të gjithë vëllezërit që kishin nën urdhra; nga Zabuloni, pesëdhjetë mijë luftëtarë të përgatitur për betejë me të gjitha armët ushtarake, të gatshëm për të ndihmuar pa mëdyshje; nga Neftaliu, një mijë prijës me tridhjetë mijë shqytarë e heshtarë; nga danitët, njëzet e tetë mijë e gjashtëqind, të gatshëm për luftë; nga Asheri, dyzet mijë luftëtarë të përgatitur për betejë. Nga matanë Jordanit, prej rubenitëve, prej gaditëve e prej gjysmës së fisit të Manaseut, njëqind e njëzet mijë me të gjitha armatimet për luftë. Të gjithë këta, burra luftarakë, të gatshëm për betejë, shkuan në Hebron me mendje të mbushur për ta shpallur Davidin mbret mbi mbarë Izraelin. Edhe të gjithë izraelitët e tjerë ishin në një mendje për ta shpallur Davidin mbret. Ata ndenjën me Davidin tri ditë, duke ngrënë e duke pirë çfarë u kishin përgatitur vëllezërit.