1 Kronikave 10
10
Vdekja e Saulit
1Filistinët e sulmuan Izraelin. Izraelitët ikën prej filistinëve, por mbetën të vrarë në malin Gilboa. 2Filistinët e ndoqën këmba-këmbës Saulin me të bijtë dhe vranë Jonatanin, Abinadabin e Malkishuain, bijtë e Saulit. 3Beteja kundër Saulit u bë e ashpër. Harkëtarët e vunë në shënjestër e ai u plagos nga harkëtarët. 4Atëherë Sauli i tha armëmbajtësit të vet: «Nxirre shpatën e më shporo, që të mos vijnë këta të parrethprerë e të tallen me mua». Por armëmbajtësi nuk pranoi, se pati shumë frikë, prandaj Sauli e mori vetë shpatën e u hodh mbi të. 5Kur armëmbajtësi pa se Sauli kishte vdekur, u hodh edhe ai mbi shpatë e vdiq. 6Kështu vdiq Sauli. Vdiq ai vetë, me tre bijtë e me shtëpinë e vet. 7Kur izraelitët, që ishin në luginë, panë se ata kishin ikur dhe se Sauli me bijtë e vet kishin vdekur, i braktisën qytetet e veta e morën arratinë. Atëherë filistinët erdhën e u vendosën aty.
8Të nesërmen, kur filistinët erdhën të zhvatnin kufomat e të vrarëve, gjetën Saulin e bijtë e tij që kishin rënë në malin Gilboa. 9E plaçkitën, i morën kokën dhe armët dhe i dërguan në tokën e filistinëve, për t'u dhënë lajmin idhujve e popullit përreth. 10Armët i vunë në tempullin e perëndive të tyre, ndërsa kafkën ia varën në tempullin e Dagonit. 11Kur të gjithë banorët e Jabesh Gileadit dëgjuan gjithçka i kishin bërë filistinët Saulit, 12të gjithë luftëtarët u ngritën e morën kufomën e Saulit dhe kufomat e bijve të tij e i sollën në Jabesh. Ua varrosën eshtrat nën qarrin e Jabeshit dhe agjëruan shtatë ditë.
13Sauli vdiq për shkak të pabesisë së vet, se nuk i qëndroi besnik Zotit dhe nuk e zbatoi urdhrin e Zotit, por u këshillua me ata që thërrasin shpirtra të vdekurish. 14Nuk u këshillua me Zotin, prandaj ai e vrau dhe ia kaloi mbretërinë Davidit, birit të Jeseut.
Aktualisht i përzgjedhur:
1 Kronikave 10: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020