Mateu 15
15
Ndreqja e dokeve
1Atëherë erdhën te Jezusi disa farisej e shkresarë prej Jerusalemit e i thanë: 2«Pse nxanësit e tu shkelin doken e të moçmëve? Se nuk lajnë duert kur hanë bukë». 3Ai iu përgjigj: «Pse edhe ju shkelni urdhnin e Hyut për shkak të dokes suej? 4Se Hyu tha: Ndero atë e nanë dhe kush shpërflet atë e nanë të dënohet me vdekje. 5Por ju thoni: "Ai që i thotë atit apo nanës: 'dhuratën, që të takon prej meje, lene të jepet për ndihmë', 6nuk ka nevojë me e nderue të atin". Ia hiqni zotësinë fjalës së Hyut, për hir të dokës suej. 7Skutha! Bukur profetizoi për ju Isaia, që thotë:
8 Ky popull më nderon me buzë,
por zemrën e kanë larg meje.
9 Kot më falen,
tue dhanë për mësime urdhnat e njerëzve.»
10Atëherë thirri pranë turmën e u tha: «Ndigjoni e kini mendjen: 11jo çka hyn në gojë e përdhos njeriun, por çka del prej goje e përdhos njeriun».
12Atëherë iu afruen nxanësit e i thanë: «A e din se farisejtë, tue ndigju fjalën, janë bjerrë?». 13Ai iu përgjigj: «Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellor, do të çrranjoset. 14Leni ata. Janë të verbët, prijës të të verbtëve. Kur i verbti i prin të verbtit, të dy do të bien në gropë».
15Por Pjetri ia ktheu: «Na e shtjello këtë shëmbëlltyrë». 16Ai i tha: «A edhe ju jeni ende mendjemangët? 17Nuk e dini se gjithçka që hyn në gojë, del në bark e qitet në gropë të zezë? 18Por, çka del prej goje, buron nga zemra. Kjo e përdhos njeriun. 19Se nga zemra burojnë mëtimet e liga, vrasjet, besëthyemjet, lavirjet, hajnitë, kinsedëshmitë, blasfemitë. 20Këto janë, që e përdhosin njeriun, kurse të ngranit me duer të papastra nuk e përdhos njeriun».
Besimi i grues kananite
21Atëherë Jezusi doli prej andej e u largue drejt rrethit të Tirit e të Sidonit. 22E, ja, një grue kananite, prej atyne viseve, doli e klithte tue thanë: «Më mëshiro, o Zot, bir i Davidit! Bija ime asht e mundueme randë prej djallit». 23Por ai nuk i ktheu fjalë. Nxanësit iu afruen e iu lutën: «Nise, se rrin tue klithë mbas nesh». 24Ai iu përgjigj: «S'jam dërgue, veçse te delet e humbuna të shtëpisë së Izraelit». 25Por ajo erdhi e ra përmbys para tij tue thanë: «Zot, më ndihmo!». 26Ai u përgjigj: «Nuk ka hije me marrë bukën e fëmijëve e me ua hedhë qenve». 27Ajo tha: «Po, Zot, por edhe qentë hanë prej dramcave të rame prej tryezës së zotnive të tyne». 28Atëherë Jezusi u përgjigj e i tha: «O grue, i madh ash besimi yt! Të ndodhtë siç dëshiron!». Dhe iu shërue e bija, që prej asaj grime.
Jezusi shëron shumë njerëz
29Mandej u largue prej andej, shkoi anës së detit të Galilesë, u ngjit në mal dhe u ul aty. 30Turma të mëdha iu afruen, tue marr me vete të ligun, të verbtë, të gjymtuem, të pagojë e shumë të tjerë. I ulën te kambët e tij e ai i shëroi, 31saqë turmat u mahnitën tue pa të pagojët tue folë, të gjymtuemt të shëruem, të çalët tue ecë e të verbtët tue pa. Dhe lëvdonin Hyun e Izraelit.
Shujta e katërmijë vetëve
32Jezusi thirri pranë nxanësit e vet e u tha: «Më dhimbet turma, se u banë tashma tri ditë që më rrinë pranë e nuk kanë çka me hangër. Nuk dëshiroj me i nisë të uritun, që të mos molisen udhës». 33Nxanësit i thanë: «Nga t'i gjejmë gjithë ato bukë në shkretinë, sa me ngie një turmë të tillë?» 34Jezusi u tha: «Sa bukë keni?». I thanë: «Shtatë. Edhe pak bërcakë». 35Ai urdhnoi turmën të shtrohej në truell, 36mori shtatë bukët e peshqit, falënderoi, i theu dhe ua dha nxanësve të vet, kurse nxanësit, turmave. 37Të gjithë hangrën e u nginë. Tepricën e copave e ngritën: shtatë shporta plot. 38Ata që hangrën ishin katërmijë burra, përveç grave e fëmijëve. 39Ai i nisi turmat, hipi në lundër e mbërriti në krahinën e Magadanit.
Atualmente Selecionado:
Mateu 15: DHRG
Destaque
Compartilhar
Copiar
Quer salvar seus destaques em todos os seus dispositivos? Cadastre-se ou faça o login
This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania