Logotipo da YouVersion
Ícone de Pesquisa

Mateu 13

13
Mbjellësi
1Atë ditë Jezusi doli prej shtëpie dhe u ul pranë detit. 2U mblodhën pranë tij turma të shumta, aq sa, mbasi hypi në një lundër, rrinte ulun, ndërsa turma në breg ishte më kambë. 3Atëherë u foli shumëçka me shëmbëltyra. E tha: «Ja, një mbjellës doli me mbjellë. 4Tue hedhë farat, një pjesë ra në rrugë, por erdhën shpendët dhe e përpinë. 5Një pjesë tjetër ra në zallinë, ku nuk kishte shumë dhe. Buloi menjëherë se truelli nuk ishte i thellë, 6por, kur doli dielli, u përcëllue dhe, tue mos pasë rranjë, u tha. 7Një pjesë tjetër ra ndër ferra dhe ferrat u naltuen dhe e mbytën. 8Një pjesë tjetër ra në tokën e bukur e dha fryt: kush njëqindfish, kush gjashtëdhjetlëfish e kush tridhjetëfish. 9Kush ka veshë, të ndëgjojë».
Synimi i shëmbëlltyrave
10Atëherë iu afruen nxanësit e i thanë: «Pse atyne u flet me shëmbëlltyra?». 11Ai iu përgjigj: «Juve ju asht dhanë me i njohë mshehtësitë e mbretnisë së qiejve, por atyne nuk u asht dhanë. 12Atij që ka, ka me iu dhanë e do t'i teprojë, por, atij që nuk ka, do t'i hiqet edhe ajo që ka. 13Për këtë u flas me shëmbëlltyra atyne: që, tue pa, nuk shohin e, tue ndëgjue, nuk ndigjojnë, as përvetësojnë. 14Me ta plotësohet profecia e Isaisë, që thotë:
Me ndigjue do të ndigjoni
e s'do të përvetësoni,
me pa do të shihni
e nuk do të shikoni,
15 se u trash zemra e këtij populli
e ndigjojnë me veshë të randuem.
Sytë e tyne janë mshelë,
që të mos shohin me sy
e të mos ndigjojnë me veshë,
të mos përvetësojnë me zemër e të kthehen,
për me i shërue.
16Por, lum sytë tuej, se shohin, e veshët tuej, se ndigjojnë. 17Vërtet po ju them se shumë profetë e të drejtë dëshiruen me kundrue çka kundroni ju e nuk e kunduruen dhe me ndigjue çka ndigjoni ju e nuk e ndigjuen».
Domethania e shëmbëlltyrës së mbjellësit
18«Ju, pra, e ndigjuet shëmbëlltyrën e mbjellësit. 19Të gjithë ata që e ndëgjojnë fjalën e mbretnisë e nuk e përvetësojnë, vjen i ligu dhe plaçkit çka u asht mbjellë në zemër. Këtë përfaqëson çka asht mbjellë anës së rrugës. 20Çka asht mbjellë në zallinë asht ai që e ndëgjon fjalën dhe e merr menjëherë me hare, 21por nuk ka rrajë në vetvete, përkundër, asht i kohëluejtun. Bie në pengesë menjëherë kur ndodh ndonjë pikëllim a përndjekje për shjkak të fjalës. 22Çka asht mbjellë ndër ferra, asht ai që e ndëgjon fjalën, por ankthet e kohës e joshja e pasunisë e mbysin fjalën e ajo bahet shterpë. 23Çka asht mbjellë në tokë të bukur, asht ai që, tue e ndëgjue fjalën, e përvetëson. Ai lidh fryt dhe jep kush njëqindfish, kush gjashtëdhjetëfish, kush tridhjetëfish».
Egjra e gruni
24Ai u parashtroi një tjetër shëmbëltyrë: «Mbretnia e qiejve i ngjan një njeriu që mbjell farën e bukur në arën e vet. 25Por, ndërsa njeriu flinte, erdhi armiku i tij, mbolli përsipër egjrën në mes të grunit e u largue. 26Kur buluen, kërcelli dha fryt. Atëherë u duk edhe egjra. 27Shërbëtorët iu afruen kryeshtëpiakut e i thanë: "Zotni, a nuk mbolle farë të bukur në arën tande? Tani, prej ku e ke egjrën?". 28Ai u tha: "Një njeri armik e bani këtë". Shërbëtorët i thonë: "A dëshiron, pra, të shkojmë e t'i harrim?". 29Por ai tha: "Jo, që, tue harrë egjrën, të mos shkulni grunin bashkë me të. 30Leni të rritën të dyja bashkë deri në të korra dhe, në kohën e të korrave, do t'u them korrtarëve: harrni ma parë egjrën e lidheni në duajë, për me i djegë. Kurse grunin mblidheni në ahrin tim"».
Fara e sinapit dhe tharmi
31U parashtroi edhe një shëmbëlltyrë tjetër e tha: «Mbretnia e qiejve i ngjan një fare sinapi, që një njeri e mori dhe e mbolli në arën e vet. 32Ajo asht ma e vogla ndër të gjitha farnat, por, kur rritet, asht ma e madhe se perimet e bahet pemë, aq sa vijnë zogjtë e qiellit e venë foletë në degët e tij».
33Ai u tregoi edhe një tjetër shëmbëlltyrë. «Mbretnia e qiejve i ngjan tharmit, që një grue e mori dhe e mshehu në tri masa mielli, derisa ta mbrunte krejt».
Dobia e shëmbëlltyrave
34Të gjitha këto Jezusi ua tha me shëmbëlltyra turmave e pa shëmbëlltyra nuk u thonte asgja, 35që të plotësohej çka asht thanë me anë të profetit:
Do ta hap gojën me shëmbëlltyra,
do të shpall të mshehtat qysh prej fillimit të botës.
Shtjellimi i shëmbëlltyrës së egjrës
36Atëherë Jezusi i la turmat e erdhi në shtëpi. Nxanësit e tij iu afruen e i thanë: «Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës». 37Ai u përgjigj e tha: «Ai që mbjell farën e bukur asht biri i njeriut. 38Ara asht bota, ndërsa fara e bukur janë bijtë e mbretnisë, porse ergjra janë bijtë e të ligut. 39Armiku, që i mbolli, asht djalli. Të korrat janë e sosmja e botës, kurse korrtarët janë engjëjt. 40Sikurse harret egjra e digjet me zjarr, njësoj do të jetë në të sosun të botës. 41Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet e ata do të harrin prej mbretnisë së tij të gjitha bjerrjet e ata që kryejnë mbrapshtina 42dhe do t'i hedhin në furrën e zjarrtë. Atje do të ketë vaj e kërcëllim dhambësh. 43Atëherë të drejtët do të vezullojnë si dielli në mbretninë e Atit të tyne. Kush ka veshë, të ndigjojë».
Të tjera shëmbëlltyra
44«Mbretnia e qiejve i ngjan një thesari të mshehun në arë, të cilin një njeri, mbasi e gjeti, e mshehu dhe, i shtymë prej hareje, shkon e shet gjithë ç'kishte dhe blen atë arë.
45Prapë, mbretnia e qiejve i ngjan një tregtari që asht tue kërkue perla të bukura. 46Mbasi gjeti një margaritar të shetrenjtë, shkoi, shiti gjithë ç'kishte dhe e bleu.
47Prapë, mbretnia e qiejve i ngjan një rrjete të hedhun në det, që ka mbledhë çdo lloj peshku. 48Mbasi u mbush, e nxorën në breg, u ulën e të kandshmit i mblodhën në një kovë, kurse të çartunit i hodhën jashtë. 49Kështu do të jetë në të sosun të botës. Do të dalin engjëjt, do t'i ndajnë të ligjtë nga të drejtët 50e do t'i hedhin në furrën e zjarrtë. Atje do të ketë vaj e kërcëllim dhambësh».
Shkresari i mbretnisë
51«A i përvetësuet të gjitha këto?» I thanë: «Po». 52E ai u tha: «Çdo shkresar i mësuem me mbretninë e qiejve i ngjan një kryeshtëpiaku, që nxjerr nga thesari i vet risi e vjeturina».
Dëbimi nga Nazareti
53Mbasi Jezusi i kreu këto shëmbëlltyra, u nis prej andej. 54Kur erdhi në vendlindje, i mësonte nëpër sinagogat e tyne, aq sa, të mahnitun, thonin: «Nga i vijnë kjo urti e këto fuqi? 55A nuk asht ky i biri i zdrukthëtarit? A nuk i thonë nanës së tij Mari e a nuk janë vëllaznit e tij Jakobi, Jozefi, Simoni e Juda? 56Edhe motrat e tij, a nuk janë të gjitha ndër ne? Prej kah i vikan këtij të gjitha këto?». 57E birreshin për shkak të tij. Por Jezusi u tha: «Profeti nuk mbetet pa nder, përveçse në atdhe e në shtëpinë e vet». 58E, prej mosbesimit të tyne, nuk kreu aty shumë vepra të fuqishme.

Atualmente Selecionado:

Mateu 13: DHRG

Destaque

Compartilhar

Copiar

None

Quer salvar seus destaques em todos os seus dispositivos? Cadastre-se ou faça o login