YouVersion Logo
Search Icon

Psalmet 95:1-11

Psalmet 95:1-11 AL1

Ejani t'i këndojmë ZOTIT, të brohorasim për shkëmbin e shpëtimit tonë. Le të dalim para tij me falënderim, le të brohorasim për të me këngë. Se Perëndi madhështor është ZOTI, mbret i madh mbi gjithë perënditë. Në dorën e tij janë thellësitë e tokës, të tijat janë majat e maleve. I tij është edhe deti, ai e krijoi, duart e tij i dhanë trajtë dheut. Ejani të adhurojmë e të biem në gjunjë, le të gjunjëzohemi para ZOTIT, krijuesit tonë! Se ai është Perëndia ynë e ne populli i kullotës së tij, tufa, që ai e ruan me dorën e vet. Dëgjojeni, pra, sot zërin e tij: «Mos e ngurtësoni zemrën si në Meribë, si në ditën e Masës, në shkretëtirë, kur etërit tuaj më vunë në provë, më tunduan edhe pse i kishin parë veprat e mia. Për dyzet vjet m'u neverit ajo brezni, e thashë: “Ky popull e ka zemrën tërë dredhi e udhët e mia nuk i njeh”. Prandaj u përbetova në zemërimin tim: “Nuk kanë për të hyrë në prehjen time!”».

Video for Psalmet 95:1-11